Ministrja Margariti: Gërmimet arkeologjike në Durrës nxjerrin në dritë figurën e një perëndeshe

29 Qershor, 2022 - 7:30 pm

Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi mbrëmë se në nëntokën e Durrësit është zbuluar një perëndeshë.

“Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2 janë drejt përfundit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë”, u shpreh Margariti.

“Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës”, nënvizoi Margariti./ KultPlus.com

Të ngjajshme