Margariti: Luftë kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore

16 Shkurt, 2020 - 2:01 pm

Ekspertë të huaj së bashku me ata shqiptarë do të punojnë, për ashpërsimin e luftës kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve të pasurisë sonë kulturore, transmeton KultPlus.

Kjo bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet se grupi i ekspertëve do të ndihmojnë dhe për ngritjen e kapaciteteve teknike e profesionale në vendin tonë. “Së bashku me skuadrën e ekspertëve të B&S Europe do të punojmë në ashpërsimin e luftës kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë sonë kulturore.

Përpos ndihmës në qasjen e legjislacionit shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian, ekspertët do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve teknike e profesionale, në trajnimin e stafit të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe të institucioneve të tjera, që lidhen në mënyrë direkte e indirekte në trajtimin e kësaj çështjeje, si doganat, policia etj”, shprehet ministrja e Kulturës për këtë takim të zhvilluar së fundmi.

Sipas ministres Margaritit, pjesë e këtij projekti është edhe sensibilizimi qytetar për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, duke nisur që nga brezi më i ri, nëpërmjet edukimit përmes kulturës. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, është institucion kombëtar i specializuar i trashëgimisë kulturore në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

IKRTK-ja ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK po ashtu ka për detyrë regjistrimin, katalogimin informatik, dokumentimin, vlerësimin, promovimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes së pasurive kulturore kombëtare. IKRTK monitoron dhe koordinon punën me njësitë territoriale në fushën e pasurive kulturore. Në vijim të aktivitetit, IKRTK ka për kompetencë të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si dhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Të hartojë platformën për regjistrimin e të gjitha pasurive kulturore të luajtshme e të paluajtshme, që ruhen nga rrjeti muzeor i vendit, nga galeritë e artit, personat privatë, institucionet e specializuara vendore e kombëtare dhe bashkësitë fetare të regjistruara me ligj, për krijimin dhe përditësimin e regjistrit kombëtar të pasurive kulturore, etj. /sot/ KultPlus.com

Të ngjajshme