Margariti: Mbi 260 mijë vizitorë në muzetë kombëtarë gjatë 2022

11 Janar, 2023 - 11:15 pm

Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë në të gjithë vendin ka shënuar një rritje domethënëse, duke arritur në mbi 260 mijë vizitorë gjatë 2022.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e vitit të kaluar duke theksuar se, “muzetë kombëtarë gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendës e të huaj, si tregimtarë të së shkuarës”.

Sipas saj, statistikat për vitin 2022 tregojnë për një interes në rritje.

Nga janari deri në dhjetor të 2022 muzetë u vizituan nga 267 599 vizitorë. Ndërsa për të njëjtën periudhë në vitin 2021 u regjistruan 132 223 vizitorë dhe në 2020 u vizituan nga 49 288.

Muzetë kombëtarë janë ndër atraksionet më të preferuara për vizitorët e huaj, pasi shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme