Margariti: Objektet e trashëgimisë së konfiskuara në SHBA do rikthehen në Shqipëri

9 Dhjetor, 2021 - 8:30 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se, “një nga çështjet më prioritare të qeverisë është krijimi i një kornize të shëndosh ligjore kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore”.

Duke marrë fjalën sot, në seancën plenare të Kuvendit, Margariti vuri në dukje se, nuk bëhet fjalë vetëm për një memorandum por për një sërë aktesh nënligjore, që forcojnë luftën pa kompromis kundër trafikimit të pasurive tona kulturore.

Sipas saj, që prej 2018 Ministria e Kulturës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë nisur punën për hartimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në respekt të Konventës së UNESCO-s, 1970, që u finalizua me nënshkrimin e memorandumit në muajin gusht në Uashington, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Kulturën dhe Edukimin, Matthew Lussenhop, duke zyrtarizuar kështu angazhimin tonë për të qenë krah për krah në një luftë, që nuk na përket vetëm ne.

Gjithashtu vijoi ministrja, një hap tjetër i rëndësishëm në krijimin e kësaj kornize ishte edhe vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, një proces i nisur me miratimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që lidhet direkt me mënyrën e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”.

Margariti vuri në dukje se, “hartimi i kuadrit ligjor vjen sipas eksperiencave ndërkombëtare, siç është skema e bazës së të dhënave e miratuar nga Interpol, si dhe sistemi në zbatim në Itali, që përmban një informacion të mjaftueshëm për krijimin e pasaportave të sakta, sipas një modeli të miratuar nga UNESCO për çdo objekt që rezulton i trafikuar në mënyrë të paligjshme”.

Ajo theksoi se, “viteve të fundit është forcuar bashkëveprimi me Interpolin, Europolin, pikat doganore dhe po punohet ngushtësisht me vendet fqinje për identifikimin dhe kthimin e veprave që rezultojnë të vjedhura”.

“Aktualisht jemi duke çuar përpara një proces delikat atë të kthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të 27 ikonave të identifikuara tashmë. Me përfundimin e procedurave këto vepra do të kthehen në vendin e origjinës. Ndërsa kemi edhe të tjera çështje të hapura për vepra me origjinë Shqipërinë, të kapura në vende të tjera, të cilat do të kthehen në vend. Në historinë e saj të afërt dhe të largët, Shqipëria ka kaluar momente kritike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjatë viteve 1991 dhe 1997 u grabitën dhe u trafikuan vlera të rëndësishme të trashëgimisë materiale. Por tanimë Shqipëria e ka kaluar fazën e tranzicionit, ka dalë nga listat e zeza të trafikimit”, deklaroi Margariti.

Ministrja deklaroi se, “Shqipëria është një vend me një trashëgimi të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, që po bëhet gjithnjë e më tepër tërheqëse për  të huajt, që numëron mbi 2220 monumente kulture e mijëra artefakte. Ndaj edhe duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë ruajtjes, mbrojtjes, konservimit dhe menaxhimit të pasurisë sonë, për ta shndërruar atë në një burim ekonomik të qëndrueshëm për vendin tonë”.

Ajo vuri në dukej se, ratifikimi i memorandumit me SHBA është padyshim një nga ato gurë themeltarë për nënshkrimin e së cilit jemi sa të kënaqur aq edhe të vetëdijshëm në përmbushjen e tij.

“Mbi bazën e këtij Memorandumi Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të luftojnë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ta mbrojnë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kufizojnë importimin të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik, që datojnë nga 300,000 vite më parë deri në vitin 1750 P.K. dhe kategori të caktuara të materialit etnologjik, nga viti 400 P. K. deri në vitin 1913, që mund të jenë elemente arkitekturore nga strukturat historike ose fetare; objekte funerale; rituale dhe ceremoniale; piktura; dokumente të shkruara; tekstile; si edhe armë e parzmore të identifikuara në listën që do të shpallet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç rasteve kur Republika e Shqipërisë vërteton se ky eksportim nuk është i paligjshëm”, tha ministrja.

Margariti deklaroi se, objektet e konfiskuara në SHBA do të rikthehen në Shqipëri. Nga ana tjetër, Shqipëria do të ndajë informacione rreth gërmimeve të paautorizuara, vjedhjeve të pasurive kulturore, trafikimit të pasurive kulturore dhe kërcënimeve të tjera që rrezikojnë trashëgiminë e saj kulturore.

“Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të ratifikimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, tashmë është momenti që të votohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe jam e bindur, që do të gjejë mbështetjen tuaj të plotë, pasi ky nënshkrim me partnerin tonë strategjik, SHBA, përbën një hap mjaft i rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë kulturore”, përfundoi Margariti. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme