Margariti: Zbulohen gjetje arkeologjike në fshatin Kthellë, Mirditë

6 Prill, 2022 - 12:54 pm

Një enë e plotë qeramike, që i takon “Kulturës Ilire të tumave të Matit” u identifikua në fshatin Kthellë të Mirditës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan hulumtimin në terren të gjetjeve arkeologjike rastësore, pas njoftimit të dhënë nga banorët e zonës, pranë fshatit Kthellë në Mirditë, ku në sipërfaqe u konstatuan fragmente qeramike, bronzi, eshtrash etj”.

“Po në sipërfaqe u gjet edhe një enë e plotë. Sipas studimeve paraprake rezulton se objekti i zbuluar është një enë qeramike me dy vegje vertikale, të zhvilluara mbi buzë, që daton i periudhës së hekurit”, tha Margariti.

Specialistët pranë Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK realizuan gjithë procesin e pastrimit dhe të restaurimit të enës, si edhe regjistrimin e saj si pasuri kulturore në “Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore”.

Sipas ministres, specialistët e IKTK po vijojnë punën për studimin e materialit arkeologjik.

Për këdo që dashuron klimën alpine dhe ajrin, të kombinuar me arkitekturën, traditën dhe historinë, Mirdita, është një krahinë që nuk duhet humbur. Monumentet arkeologjike të Mirditës i përkasin më së shumti periudhës së hershme të Mesjetës në Shqipëri e njohur gjithashtu si “Periudha e Arbrit”, edhe pse në këtë qytet ka varre dhe objekte të shumta që tregojnë se ky ka qenë një vendbanim ilir që në periudhën e Bronzit, rreth 2000 vjet para erës sonë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme