Mbështetje turizmit, ulje e çmimeve në sitet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

8 Qershor, 2020 - 1:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot “se qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore me çmime më të ulëta”.

E ftuar në një studio televizive, Margariti tha se “janë marrë masa për të mbështetur sa më tepër bizneset lokale dhe në këtë nismë Ministria e Kulturës afrohet duke mbështetur sidomos turistët lokalë për t’i bërë të mundur aksesueshmërinë në site dhe duke bërë uljen e tarifave”.

“Ne kemi pasur vitin që shkoi një rekord mbi 1 milion vizitorë në të gjitha sitet e trashëgimisë kulturore dhe kishim ndërmarrë ndërkohë edhe një nismë tjetër, shtimin e  shërbimeve dhe rritjen e tarifave në këto site. Por duke pasur parasysh se pandemia solli detyrimisht edhe një gjunjëzim të disa sektorëve të ekonomisë ne menduam se për ne është e rëndësishme promovimi dhe të mos ulim ritmin e vizitueshmërisë në site. Ndaj kemi ulur tarifat që kanalizohet më shumë në biletarinë online, një risi e Ministrisë së Kulturës”, tha Margariti.

Ajo theksoi se “në sportel kemi biletarinë si gjithmonë manuale por kemi edhe 10 site me biletari elektronike dhe në këto site ku kemi biletarinë elektronike kemi edhe çmimet më të reduktuara nëse bileta blihet përpara online”.

Margariti tha se turisti i huaj është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë që sjell të ardhura në të gjitha sitet kulturore. “Nga statistikat 60% e turistëve janë turistë të huaj në sitet tona kulturore. Ne kemi pasur parasysh këto kohë bashkë me ministritë e tjera që të ndërmarrin masa që të mbështesim bizneset lokale, dhe në këtë nismë Ministria e Kulturës, afrohet duke mbështetur sidomos turistët lokalë”, tha ministrja.

Ajo gjithashtu tregoi detaje për punën që po bëhet në restaurimin e siteve kulturore, të cilat  janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne paralelisht kemi nisur një sërë hartime projektesh për restaurimin dhe konsolidimin. Do të fillojmë së shpejti fazën më të detajuar të projekteve të zbatimit. Do të fillojë këtë muaj por ndërkohë kemi filluar me konsolidimin dhe vënien në siguri të disa siteve duke filluar nga Durrësi që ka qenë një nga sitet më të prekura, në Kalanë e Krujës. Së shpejti do të fillomë të ndërmarrim hapa konkret. Kruja ka një problem specifik nga sitet e tjera se ka edhe një problem gjeologjik shkëmbor që nuk i përket vetëm specialistëve tanë për të hartuar një projekt të detajuar, por kemi një ekip të mirë ekspertësh që na mbështesin dhe do të fillojmë shumë shpejt edhe atje. Por kemi filluar në kullën e murit rrethues në Durrës”, tha ministrja.

Më tej, Margariti ftoi qytetarët që të zbulojnë vendet turistike, ndërsa zbuloi ofertën për Butrintin.

“Ne po punojmë që të sjellim paketa të plota. Edhe për Butrintin do të dalim me një ofertë e re, e cila do jetë një biletë prej 400 lekësh. Duhet të gjejmë pak kohë dhe të shëtisim vendet tona. Butrinti është i vizituar, Kalaja e Shkodrës, por edhe parqet arkeologjike dhe kalatë janë ndër sitet më të vizituara. Ne kemi filluar të hedhim sytë drejt parqeve arkeologjike, ndërsa e kemi parë tërmetin jo vetëm për dëmet që shkaktoi, por edhe për të parë një plan më të gjerë menaxhimi”, shtoi Margariti./atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme