Mbi 38 mijë vizitorë në kalanë e Rozafës që nga maji

10 Gusht, 2022 - 3:40 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, publikoi sot shifrat e vizitorëve në kalanë e Rozafës, të cilat flasin për interesim në rritje të publikut për këtë sajt të trashëgimisë historike dhe kulturore.

“Kalaja Rozafa, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të kësaj vere”, shkruan Margariti në rrjetet sociale, duke shtuar se nga muaji maj, ajo është vizituar nga 38154 vizitorë.

Me kulturën e çmuar, arkitekturën unike, tanimë po korren edhe frytet e punës për zhvillimin e saj jo vetëm në aspektin turistik, si një ndër asetet më të vyera të trashëgimisë kulturore, por edhe si një ndër destinacionet e bukura ku promovohen dhe zhvillohen ngjarje të rëndësishme artistike, mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme