Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë së shpejti një destinacion turistik

6 Janar, 2021 - 1:37 pm

Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije punët që çojnë përpara, ku një prej tyre është dhe Muzeu i Arsimit. “Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj për muzeun.

Mësonjëtorja e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.

Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902 për t`u riçelur në vitin 1908.

U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, familja Qiriazi, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë, që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.

Ndërtesa e muzeut ka dhe mjedise ekspozimi. Në shtator të 2019 u bë me dije se kishte nisur puna për restaurimin e godinës së Mësonjtores së parë shqipe. / KultPlus.com

Të ngjajshme