Ministri Gashi: Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë

28 Shtator, 2018 - 7:29 pm

Në Lokalitetin Arkeologjik në Dresnik, sot, u shënuan Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane dhe Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore. Me këtë rast, në këtë lokalitet, qëndroi për vizitë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili në fjalën e tij të rastit u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë lokalitet.

“Ditën e Trashëgimisë Evropiane në të gjithë Evropën dhe Republikën e Kosovës janë kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore, edukative, sensibilizuese dhe dijetare jo vetëm për institucionet tona por edhe për qytetarët tanë”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se për nderë të kësaj dite, në Kosovë tashmë janë zhvilluar shumë aktivitete, ku përfshihen të gjitha institucionet që merren me Trashëgimin Kulturore.

“Me organizime të shumta, siç është edhe ky i sotmi, synojmë ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore evropiane, duke e trashëguar atë për brezat e ardhshme”, tha ministri Gashi.

“E veçanta e kësaj ngjarje është fakti që për herë të parë kjo ngjarje ka ndodhur në lokalitetin e Dresnikut si njëra nga vendbanimet më të rëndësishme në Dardaninë Antike, në të cilën janë duke u zhvilluar punët intensive nga Institucionet tona dhe punëtorët profesionalë të fushës së Trashëgimisë Kulturore”, theksoi ministri Gashi.

Ai, ndër të tjera tha se rëndësia e këtyre gjetjeve është që ky lokalitet të bëhet prioritet dhe të ndryshohet në një pikë turistike në kuadër të zhvillimit të kulturës turistike në vendin tonë.

“Më lejoni të rikonfirmoj për përkushtimin tim dhe të Ministrisë që drejtoj, në mbështetje të plotë institucionale për fushën e Trashëgimit Kulturore”, përfundoi ministri Gashi./KultPlus.com

Të ngjajshme