Ministri Kujtim Gashi priti në takim ambasadoren kroate në Kosovë, Maria Kapitanovic

13 Nëntor, 2017 - 2:04 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në një takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Maria Kapitanovic. Të dy biseduan rreth Marrëveshjes kulturore mes Kosovës e Kroacisë si dhe shkëmbimit të përvojave kulturore dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy vendeve, shkruan KultPlus.

Ministri Gashi falënderoi ambasadoren kroate të akredituar në Prishtinë, Maria Kapitanovic, për mbështetjen e vazhdueshme dhënë shtetit të Kosovës nga shteti dhe populli korat nëpër të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë e veçanërisht përkrahjen në fushat që mbulon MKRS-ja.

Ai e njoftoi ambasadoren se MKRS-ja është e gatshme të përkrahë projektet konkrete për promovimin dhe avancimin e shkëmbimit të përvojave të përbashkëta të dy vendeve duke potencuar edhe mbështetjen e komunitetit kroat që jeton në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, ambasadorja kroate Maria Kapitanovic, e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe vlerësoi gatishmërinë e ofruar për të bashkëpunuar me qëllim të promovimit të vlerave kulturore të dy vendeve.

Ajo shprehu kënaqësinë për arritjet dhe sukseset e sportit kosovar sidomos në procesin e ndërkombëtarizimit, duke theksuar se Kroacia vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj në të gjitha proceset e shtetndërtimit, veçanërisht në kuadër të kontributit për procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar./KultPlus.com

Të ngjajshme