Ministria e Kulturës shpall konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”

29 Mars, 2019 - 2:30 pm

Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut ka shpallur konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”, i cili jepet për arritje në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, si dhe për nxitjen, avancimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të bashkëpunimit mes popujve, komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.

Siç thonë nga Ministria e Kulturës individi ose grupi që do ta fitojë këtë çmim do t’i jepet diplomë dhe një shumë parash, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Shuma në para e Çmimit Shtetëror “Nënë Tereza” është pesë (5) rroga mujore mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut të paguara në tri muajt e fundit të vitit rrjedhës. Çmimi Shtetëror “Nënë Tereza“ ndahet, sipas rregullit, çdo vjet. Në një vjet mund të ndahen më së shumti deri në dy çmime”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Iniciativë për ndarjen e Çmimit Shtetëror “Nënë Tereza” mund të parashtrojnë: institucionet, shoqëritë tregtare, shoqatat e qytetarëve dhe qytetarët.

“Parashtruesit e iniciativës për ndarjen e Çmimit Shtetëror duhet hollësisht ta arsyetojnë iniciativën. Në tekst duhet të përmbahen edhe: të dhënat e sakta të biografisë, adresa e saktë e vendbanimit (adresa-rruga, numri, vendi, qyteti, shteti), të dhënat për rezultatet e arritura në fushën në të cilën është arritur ajo dhe të dhënat e tjera që konsiderohen se do të kontribuojnë në vlerësim, si dhe dokumentacioni përkatës me të cilin do të konfirmohen ato”, thuhet në njoftim.

Konkursi do të zgjasë nga 1 deri më 30 prill të këtij viti./Telegrafi/
KultPlus.com

Të ngjajshme