Ministrja Ekonomi: Qendrat muzeore dhe sitet arkeologjike, kontribut në zhvillimin e rajoneve

18 Maj, 2022 - 12:35 pm

Në Ditën Botërore të Muzeve, ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi shprehu vlerësim për të gjithë punonjësit e qendrave muzeore dhe siteve arkeologjike, që punojnë çdo ditë duke kontribuar në zhvillimin e zonave ku ato ndodhen.

“Dua të shpreh vlerësimin tim për të gjithë punonjësit e qendrave muzeore dhe siteve arkeologjike, në Krujë, Durrës e në të gjithë vendin për punën e palodhur që bëjnë çdo ditë dhe rolin domethënës në zhvillimin e komuniteteve në zonat ku ato ndodhen”, u shpreh Ekonomi.

“Sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, hyrja në të gjithë Muzetë dhe Parqet Arkeologjike është falas”, tha Ekonomi.

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër sit i trashëgimisë kulturore, ai ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Ndërkohë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu më i madh arkeologjik në Shqipëri ku ruhen objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit.

Në këtë muze nuk ka ndalur për asnjë moment puna për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. / atsh / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme