Miratohet projekti për memorialin e Kampit të Tepelenës

24 Nëntor, 2018 - 8:30 pm

Së shpejti do të ndërtohet “Memoriali i fëmijëve të vdekur në kampin e internimit në Tepelenë”. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit ka bërë publik vendimin nr. 431, datë 13.11.2018, “Për miratimin e projektit të restaurimit”, në përgjigje të kërkesës së dërguar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Kulturës.

Ky vendimi materializon përpjekjet e deritanishme të Autoritetit për muzealizimin e Kampit të Tepelenës, në kuadër të projekteve të kujtesës të ndërmarra nga ky Institucion. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është institucioni shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, duke u bazuar në ligjin nr. 45/2015, dhe në zbatim të ligjit nr. 9802, datë 13/092007 “Për ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtje e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, ka miratuar, me Vendimin nr. 54 datë 10/08/2017, realizimin e Projektit të kujteses “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës së detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës për realizimin e këtij projekti.

Memoriali është pjesë e Programit të Qeverisë 2017-2021. Projekti u miratua me Vendim të Këshillit Bashkiak, Tepelenë nr. 40 datë 30/11/2017. Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, dizenjimin, pozicionimin dhe mbjelljen e 300 fidaneve (qiparisa) në përkujtim të fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe jane pa një vendvarrimi.

Ndërtimi i këtij memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste. Në kuadër të punës së Projektit për Memorialin e Tepelenës, objekti “Ish-kampi i internimit në Tepelenë”, bazuar dhe në Ligjin Nr. 27, datë 17/05/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, Neni 60, pika 3, me Urdhër Nr. 1787 Prot., datë 24/08/2018, të IMK-së, është shpallur në “mbrojtje paraprake”, urdhër që sjell zbatimin e masave paraprake të mbrojtjes. Më datë 13/11/2018, projekti i këtij Memoriali u prezantua nga arkitekti Gjon Radovani pranë Këshillit Shkencor të IMK-së dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimeve të MK-së, me qëllim marrjen e lejes për mbjelljen e qiparisave dhe përfundimin e Memorialit. Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams dhe zv. /ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias. Për të realizuar këtë projekt AIDSSH ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj. Për mbledhjen e dokumenteve zyrtare që faktojnë periudhën e ekzistencës së Kampit të Tepelenës është bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

Në këtë kuadër, projekti është mbështetur nga Bashkia e Tepelenës dhe partnerë të AIDSSH, si PNUD (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 32, datë 01.02.2018), OSBE (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 46, datë 06.07.2017) e institucione të tjera, publike, akademike dhe të kërkimit shkencor. Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet. Një bashkëpunim i rëndësishëm është bërë me MEMO Albania, për ndërtimin e mëemorialit, e cila ka siguruar fondet për mbjelljen e pemëve dhe ndërtimin e të gjithë shtresave mbajtëse për montimin sipër të memorialit./KultPlus.com

Të ngjajshme