Mjeshtri 85 vjeçar i çative që nuk i ndahet zanatit

28 Tetor, 2018 - 6:05 pm

Pano Vlashi, 85 vjeç nga Zagoria, është mjeshtri më i vjetër i këtij zanati në Gjirokastër.

Vetëm këtë verë, ai ka shpëtuar më shumë se 10 çati masive në Gjirokastër, e shumë të tjera në zonat përreth.

Me 70 vite eksperiencë mbi shpinë, ai thotë se është ende në gjendje të punojë dhe t’i japë drejtimin ujit mes rrasave të gurit mbi çatitë e banesave historike në të gjithë Jugun.

Restauruesi i mbi 25 çative të kishave mesjetare të zonës thotë se, vetëm puna e mban në formë njeriun. Ai nisi ta mësojë profesionin kur ishte 15 vjeç, e prej atëherë nuk është ndalur. Pano Vlashi shpenzon mbi 10 orë çdo ditë mbi çati, por thotë se nuk ka pësuar asnjëherë ndonjë aksident, me gjithë rreziqet që bart restaurimi i çative.
Mjeshtri 85-vjeçar tregon se ia ka trashëguar profesionin të birit, por ende ai është kryemjeshtri. Pavli Qape, pronari i një banese historike thotë se të gjithë ia besojnë çatitë mjeshtrit Pano Vlashi.

Rrahja e çekiçit të çatipunuesit është shpresë për Gjirokastrën, por mjeshtrat janë gjithnjë e më të paktë në numër. E ardhmja e profesionit, sipas Pano Vlashit do të vendosë edhe të ardhmen e mbrojtjes së qytetit dhe trashëgimisë së ndërtimit./ Top Channel

Të ngjajshme