MKRS do të dorëzojë këtë jave propozimet për mbrojtje të aseteve të trashëgimisë kulturore

20 Dhjetor, 2021 - 12:53 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se e kanë filluar plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës, i cili sipas tij, do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore. Çeku ka thënë se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Ministri i Kulturës ka folur në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ku këta të fundit kanë thënë se gjendja e monumenteve nuk është e mirë andaj sipas tyre nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional.

Çeku: Gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë kulturore

“Në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore kemi filluar me plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës i cili do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtare. Gjithashtu pas një angazhimi intensiv të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe në koordinim të ngushtë me KKTK-në gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, ka thënë ministri Çeku.

Çeku ka thënë se në muajt e fundit kanë filluar disa programe që sipas tij do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Këtu ai ka përmendur programin e sistemit të integruar të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka thënë se përmes këtij programi do të sigurohet përfshirja e të gjitha të dhënave të kategorive të trashëgimisë kulturore në një platformë të përbashkët e të integruar.

E kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka thënë se ky komision do të mbështesë të gjitha masat shtetërore që ruajnë identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës.

Gola: Komisioni parlamentar për arsim dhe kulturë jep mbështetje maksimale për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së Kosovës

“Sigurisht që na presin sfida nga më të larmishmet kështu që zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i trashëgimisë që tashmë kanë filluar të adresohen me programin qeverisës dhe mbi të gjitha edhe atë legjislativ, kështu që në emër të komisionit parlamentar për arsim dhe kulturë jap mbështetjen maksimale për mbarëvajtjen e masave shtetërore për të ruajtur identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës. Roli, përgjegjësia e punës dhe koordinimi i të gjitha hallkave institucionale është i një rëndësie të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e Bordit të KKTK-së, Zanita Halimi ka thënë se trashëgimia kulturore në Kosovë duhet të mbrohet.

Halimi: Trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik

“Kjo tryezë duhet të shihet si platformë dialogu për të reflektuar në atë çfarë është arritur deri tani si një komunitet i lidhur me vlerat dhe qëllimin e përbashkët dhe atë që duhet të ndërmerret ende. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se trashëgimia kulturore është burim i çmuar në shumë mënyra, trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik, për atraksion turistik, është faktor identiteti, prandaj ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë atë, jo vetëm për rolin e rëndësishëm në rritjen ekonomike në punësim, por veçanërisht sepse është përgjegjësi e jona ndaj brezave të ardhshëm”, ka thënë Halimi./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme