MKRS-ja nënshkruan marrëveshje për fuqizimin e rinisë përmes edukimit joformal

19 Prill, 2018 - 7:56 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me organizatën joqeveritare “George Williams Associaton in Kosovo”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i angazhimeve të ndërsjella në mes të MKRS-së dhe OJQ George Williams Association in Kosovo në fuqizimin e rinisë në Kosovë dhe zbatimin e projektit “Qendra rekreative për fëmijë dhe të rinj”, me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, si dhe promovimin e edukimit jo formal si element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë në mbështetje të të rinjve me qëllim të krijimit dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve rinore. Ai po ashtu theksoi se përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve po synohet që të promovohet edhe më tutje Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.

“Zbatimi i këtij projekti ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve për fëmijët e të gjitha shkollave dhe të rinjtë e të rejat nga komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore” u shpreh Gashi.

Ndërsa drejtoresha e organizatës “William Youth Association in Kosovo”, Dorina Davies u shpreh e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje duke thënë se do të vazhdojnë të punojnë intensivisht që nëpërmjet aktiviteteve dhe pjesëmarrjes në vizita studimore të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kosovare për udhëheqjen e qendrave të tilla. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme