MKRS në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve: Jemi të vetëdijshëm për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore

18 Prill, 2021 - 1:04 pm

18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e cila shënohet çdo vit për të promovuar dhe ngritur vetëdijen për rëndësinë, cënueshmërinë dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.

Si pasojë e situatë pandemike në vend, kjo ngjarje sot nuk mund të shënohet me aktivitete kulturore. MKRS-ja përmes nja postimi në faqen zyrtare në Facebook, u është drejtuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në të cilin ndër të tjera thuhet se MKRS është e vetëdijshme për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore, përcjell KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve e cila shënohet çdo vit për të promovuar dhe ngritur vetëdijen për rëndësinë, cënueshmërinë dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Tema e sivjetme e përzgjedhur nga ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete) është: Të kaluarat komplekse: të ardhmet e larmishme!

Trashëgimia e pasur kulturore e Kosovës është interpretim i shtresimeve të ndryshme kulturore të zhvilluara nga e kaluara e deri në ditët tona. Ajo paraqet bashkëdyzimin mes zhvillimeve historike të transformuara nga brezi në brez – duke përfshirë të gjitha aspektet e mjedisit që rezultojnë si ndërveprim mes komuniteteve dhe lokaliteteve përgjatë historisë –dhe domethënies që kjo e kaluar ka për komunitetin në ditët tona.

Lokalitetet arkeologjike që flasin për qendrat urbane me një kulturë të rafinuar – monumentet fetare, manastiret, kishat, xhamitë, teqet e tyrbet që shpalosin transformimet dhe bashkëjetesën e zhvilluar gjatë shekujve, fortifikatat, qendrat e vjetra urbane e rurale, komplekset e banimit, urat, sheshet, krojet – tregojnë për një të kaluar komplekse e cila është bartur dhe ruajtur në të tashmen. Ruajtja, promovimi, dhe bartja e këtyre pasurive mbetet obligim dhe përgjegjësi për të krijuar një të ardhme të larmishme për gjeneratat e ardhshme që do ta gëzojnë atë në territorin e Kosovës.

Jemi të vetëdijshëm për gjendjen e brishtë të trashëgimisë sonë kulturore, për emergjencat dhe sfidat , por jemi më se të bindur për rëndësinë jetike që ajo ka dhe misionin tonë karshi saj.

Duke e shënuar këtë ditë, në rrethana të emergjencës globale me COVID-19, e cila na vuri para sfidave të reja, por duke na hapur edhe këndvështrime për mundësitë e reja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në të ardhmen, duam të theksojmë përkushtimin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, si vlerë univerzale që i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. / KultPlus.com

Të kaluarat komplekse: të ardhmet e larmishme! (SHQ, SR, TUR, ROM, ENG) 18 prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e…

Posted by Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit on Sunday, April 18, 2021

Të ngjajshme