Mulliri i Shabanajve i mbijetoj tre luftërave, por sot përballet me betejën kundër asfaltit

1 Shtator, 2020 - 10:14 am

Suada Qorraj

Në qendër të qytetit të Deçanit gjendet një ndër objektet më të vjetra të qytetit i quajtur “Mulliri i Shabanajve”. I ndërtuar në shekullin e 19-të nga mjeshtrit popullorë vendorë, me pothuajse 300 vite jetë, mulliri arriti t’i mbijetonte tre luftërave të ndryshme, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, madje edhe bombardimeve e shkatërrimeve të luftës së fundit që ndodhi në Kosovë. Mirëpo sot “Mulliri i Shabanajve” gjendet në betejën e tij të fundit, njërën nga ato që konsiderohet më të vështirat, në luftën me asfaltin, shkruan KultPlus.

Komuna e Deçanit në mbledhjen e tridhjetë qershorit të këtij viti kishte marrë një nga vendimet më të pazakonta e të kundërligjshme në vendin tonë, atë të zhvendosjes së “Mullirit të Shabanajve”. Ky vendim i padëgjuar më parë, mbështetej mbi arsyen e zgjerimit të rrugës kryesore dhe pengesës që shkakton ky mulli.

“Në të ndryshme pas dhënies së arsyeshmërisë lidhur me zhvendosjen e Mullirit të Shabanaj i cili gjendet në rrugën ,,Dëshmorët e Kombit’’ dhe më planin rregullues të qytetit pengon zgjerimin dhe rregullimin e rrugës kryesore, ky propozim për zhvendosje është miratuar me vota unanime”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e bërë nga ana e Komunës së Deçanit.

Në lidhje me këtë veprim të Komunës, Ministria e Kulturës dhe pronari i mullirit janë vënë në dijeni pas vendimit të Kuvendit të Komunës së Deçanit. Madje në një intervistë për KultPlus pronari Sali Cacaj ka treguar se lajmin për zhvendosjen e mullirit nuk e kishte marrë nga Komuna, por nga një kushëri i largët që kishte dëgjuar për këtë çështje.

“Mua më kanë tregu rastësisht, në fakt vëllait tim i ka thënë një kushëri që mulliri dhe lokalet përreth do të rrënohen brenda tre – katër ditësh”, ka thënë Cacaj.

Ai ka treguar se pasi kishte kontaktuar me kryetarin e Komunës e kishte marrë vesh që kjo zhvendosje planifikohet të bëhet në anën e kundërt të rrugës, prapa shtatores së Luan Haradinaj, në një parcelë që gjendet në afërsi të pallatit të kulturës së kësaj Komune. Tutje ai ka shtuar se tashmë ka njoftuar të gjitha institucionet relevante për të kundërshtuar nismën e Komunës së Deçanit.

“Mulliri i Shabanajve” që fillimisht ishte ndërtuar nga druri mirëpo për shkak të vjedhjeve të shumta që bëheshin në atë kohë, ishte rindërtuar këtë herë me gurë, ju ka shërbyer për bluarjen e miellin jo vetëm qytetit të Deçanit dhe fshatrave përreth, por edhe fshatrave të Gjakovës dhe Pejës. Në bazë të disa të dhënave që ka arritur t’i siguroj KultPlus, thuhet se ky mulli ka qenë pikë takimi për shumë figura kombëtare e kulturore, që ndaleshin për ta vizituar e për të pirë ujë.  

Sylejman Vokshi, Abdyl  Frashëri, Ymer Prizreni, Ali Pash Gusia, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina e Isa Boletini ishin vetëm disa prej emrave të shumtë që shkelën brenda këtij mulliri.

Mulliri për sa kohë qëndroi funksional ishte edhe vendi ku rrinin, pushonin e takoheshin edhe pleqnarët e katundeve të rrethit të Deçanit.

Pas luftës së fundit mulliri u përzgjodh që të rindërtohet për shfrytëzim si qendër e komunitetit. Ku dhe me ndihmën e Ministrisë së jashtme të Italisë, dhe OJQ italiane ,,INTERSOS” , ky mulli u restaurua në vitin 2005, pas restaurimit  këtij objekti ju kthye edhe pamja e tij origjinale.

Për gjashtëmbëdhjetë vite me radhë objekti i shërbeu organizatës joqeveritare “Jeta” në Deçan për ekspozimin e zejeve dhe veshjeve tradicionale të trevës së Dukagjinit. Mirëpo kjo OJQ në gushtin e këtij viti u detyrua që veprimtarinë e saj ta zhvendos në një vend tjetër.

“Të nderuara gra të Komunës së Deçanit ,pas 16 vite punë në “Mullirin e Shabanajve”,në bashkëpunim më anëtarët e shoqatës dhe të gjitha gratë e Komunës së Deçanit, sot u deshtë ta mbyllim mullirin dhe ta ndërrojmë lokacionin”, kishte shkruar në njoftimin e saj drejtoresha e kësaj OJQ-je, Safete Gacaferi.

“Mulliri i Shabanajve” është aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme mban numër rendor 553 e numër unik 1458.

KultPlus ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Kulturës lidhur me vendimin e pazakontë të kësaj Komune. Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë MKRS-ja nuk ka lejuar zhvendosjen e këtij mulliri.

Në vendimin e datës 17 korrik për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të Komunës së Deçanit theksohet se ky vendim është në kundërthënie me ligjin për trashëgimi kulturore në vendin tonë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, pas shqyrtimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Deçanit për zhvendosjen e Mullirit të Shabanajve në qytetin e Deçanit, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me Nenin 6 (paragrafin 11) të Ligjit Nr. 02/L-088 për trashëgimi kulturore, prandaj si i tillë është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe që hynë në fushëveprimin e MKRS-së, dhe si i tillë nuk mund të prodhoj efekte juridike”, shkruhet ndër të tjera në vendim.   

Në nenin 6, paragrafit e 11 të ligjit për trashëgimin kulturore thuhet se ndalohet lëvizja apo zhvendosja e ndonjë pjese të mbrojtur arkitekturore.

“Ndalohet lëvizja apo zhvendosja e pjesshme ose komplete e ndonjë pjese të trashëgimisë së mbrojtur arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme apo të përhershme”, specifikon ligji.

KultPlus i është drejtuar edhe komunës së Deçanit mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi këta të fundit nuk i janë përgjigjur pyetjeve që janë dërguar nga ana e redaksisë tonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme