40 mijë vizitorë në Muzeun ‘Onufri’, kryesojnë polakët

5 Korrik, 2025 - 9:26 am

Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.

Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.

Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.

Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme