Amfiteatri i Durrësit dhe zona muzeore mbi 19 mijë vizitorë në janar-gusht

24 Shtator, 2023 - 8:00 pm

Amfiteatri antik i Durrësit dhe zona muzeore janë ndër më të vizituarat nga turistët vendas e të huaj.

Qendra Muzeore Durrës bën të ditur se “që nga janari deri në fund të gushtit numri i vizitorëve në Amfiteatër dhe në zonën muzeore të Durrësit vazhdon të mbetet mjaft i lartë. Konkretisht në këtë periudhë ato u vizituan nga 19 185 vizitorë, rreth 9 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku u vizitua nga 10 849 vizitorë”.

Sipas Qendrës Muzeore Durrës, këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në amfiteatër.

“Vihet re një rritje e jashtëzakonshme e numrit të turistëve në qytetin tonë dhe veçanërisht, të turistëve që shfaqin interes për historinë dhe kulturën vendase”, thekson Qendra Muzeore Durrës.

Vizitorët kryesisht janë gjermanë, holandezë, polakë, italianë , etj.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.

Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.

Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme