Dita Ndërkombëtare e Muzeve, BSH hap dy ekspozita të përkohshme

18 Maj, 2022 - 5:30 pm

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Banka e Shqipërisë çeli enkas për publikun në ambientet e saj, dy ekspozita të përkohshme, të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Banka e Shqipërisë njoftoi se, Muzeu i Bankës së Shqipërisë do të qëndrojë i hapur për publikun përtej orarit të tij zyrtar, duke nisur nga ora 09:00 deri në orën 18:00.

“Gjatë kësaj dite, përveçse koleksionit të pasur numizmatik të Muzeut të BSH-së, dhe ambienteve dedikuar historisë së bankës dhe financave, vlerës dhe rolit e parasë, publiku do të mund të vizitojë dhe dy ekspozita të përkohshme, të çelura enkas për këtë ditë dhe të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”, njoftoi BSH-ja

Tematika e dy ekspozitave ka në fokus “Përpjekjet për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, përgjatë viteve 1913-1925”.

Ku përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale të kohës, kjo ekspozitë synon të njohë publikun me momentet kyçe, përpjekjet, punën dhe historinë e krijimit të bankës së parë kombëtare të vendit dhe emetimit të monedhës së parë shqiptare.

Ekspozita e dytë i dedikohet “Dr. Mitrush Kutelit, figura e tij si ekonomist dhe bankier”

Dr. Dhimitri P. Pasko (1907-1967) – i njohur ndryshe me pseudonimin e tij letrar si Mitrush Kuteli, por në fushën e ekonomisë e financave edhe si Dr. Pas – përveçse një kolos i letrave shqipe, është dhe një nga ekonomistët e bankierët më të shquar të Shqipërisë së shek. XX, veprimtaria në sektorin bankar e të cilit ende njihet pak nga publiku i gjerë.

Kjo ekspozitë synon ta njohë publikun me disa momente të rëndësishme të punës së tij gjatë viteve 1943-1946, si drejtues pranë Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe më pas Bankës së Shtetit Shqiptar./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme