Dita Ndërkombëtare e Muzeve, hapet ekspozita me ikonat e Joan Çetiri

18 Maj, 2022 - 11:00 pm

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Muzeore Berat organizoi ekspozitën “Joan Çetiri dhe Ikonat e Epistilit të Kishës Katedrale, Fjetja e Shën Marisë.

Kjo ekspozitë u çel në vazhdim të kolanës së veprimtarive në muzeun e Ikonografisë Onufri, “Thesare të muzeut”, ku janë ekspozuar 20 ikona të përmasave të vogla (ikonat e festave) të realizuara në vitin 1812 me dorën e Joan Çetirit.

Kjo ekspozitë parashikohet të qëndrojë e hapur në një periudhë një vjeçare si një produkt i ri me synimin përsosjen dhe përmirësimin e komunikimit me vizitorët, krijimi i një publiku të interesuar dhe të qëndrueshëm, si një grishje drejt trashëgimisë.

“Tashmë për herë të parë ky koleksion i ikonave të vogla të epistilit (pjesës së sipërme) të ikonostasit të kishës katedrale “Fjetja e Shën Marisë” ekspozohet në nivelin e lartësisë së njerëzve, ngjarje që na lejon të shijojmë, detaje që në lartësinë e vendndodhjes së tyre janë normalisht të padukshme, ekspozohen ballë-përballë me vizitorët duke i ftuar në një dialog “me të sipërmet””, bën të ditur Qendra Muzeore Berat./ KultPlus.com

Të ngjajshme