‘Fototeka’ hap ‘dyert’, muzeu virtual me mbi 7 mijë imazhe

21 Mars, 2023 - 11:58 am

Muzeu virtual “Fototeka” ka hapur ‘dyert’ për të pasionuarit pas fotografisë.

Në këtë muzeu virtual publikohet trashëgimia fotografike në territoret shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fund të regjimit totalitar.

Në këtë muze pasqyrohen mbi 7000 imazhe të ndarë në 7 periudha historike, shkrepur nga dhjetëra fotografë, kryesisht të juglindjes së Shqipërisë, ku shpaloset më shumë se një shekull histori.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, me kontributin e koleksionistëve privatë, Fondacioni “Art & Histori” hapet një dritare ku mund të zbuloni imazhe që nuk i keni ndeshur kurrë më parë”.

Në këtë muze shfaqen rreth rreth 40 albume nga fundshekulli XIX-mesi i shekullit XX, si pllaka xhami, diapozitivë, negativë në letër, filma, printe origjinale.

Këto albume përmbajnë imazhe nga Lufta e Parë Botërore, ndërtimet e trupave italiane në ishullin e Sazanit (1918 -1922) në qytetin e Vlorës ( 1916 – 1920), ndërtimi i portit të Durrësit (1929-1932), vizitat e kontit Galeazzo Ciano (1938), pelegrinazhi në ‘Kuotën 731’, Rehovë, Skrapar në kujtim të Luftës Italo -Greke (1941) etj.

Të pranishme janë edhe albumet propagandistike të periudhës komuniste, që ilustrojnë ndërtimin e hekurudhës së parë Durrës – Peqin (1947), ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve ‘Stalin’ (1951), ndërtimin e hidrocentralit ‘Lenin’ (1951) e duke vazhduar më tej me albumet dhuratë për diktatorin Enver Hoxha.

Rreth 2000 negativët në pllaka xhami, qindra negativë të tjerë në letër apo film, pjesë e këtyre koleksioneve, u digjitalizuan dhe u kthyen në imazhe pozitive për të lehtësuar aksesin në përmbajtjen e tyre. Materiali i digjitalizuar përmban fotografi nga fundshekulli XIX gjer në mesin e shekullit XX dhe çdo imazh është plotësuar me përshkrime, vite dhe teknika në formën e skedave digjitale.

Këto koleksione të rralla hedhin dritë mbi mënyrat e jetesës së njerëzve të ndryshëm që jetuan dhe punuan në këto territore rreth një shekull më parë, zakonet, besimet dhe traditat e tyre./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme