Hapet ekspozita e ‘Muzeut Virtual të Refugjatëve’, shfaq katër histori vuajtje të civilëve gjatë luftës në Kosovë

10 Dhjetor, 2022 - 5:35 pm

Flonja Haxhaj

Kati i tretë i hotel ‘Grand’ në Prishtinë kishte marrë pamje krejt tjetër pas hapjes së ekspozitës ‘Muzeu Virutal i Refugjatëve’. Ky muze i cili këtë vit shënoi vitin e dytë të themelimit ka për qëllim të kontribuojë në njohjen simbolike të vuajtjeve të civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në ciklin e sivjetëm, krahas ekspozitës e cila u ilustrua nga Elvira Thaçi dhe Edvin Susuri, vjen edhe libri me katër rrëfime të katër personave të cilët u larguan pa të drejtë nga shtëpitë e tyre.

Një ndër to është edhe historia e Bajramshahe Jetullahut. E sikur të mos mjaftonin vështirësitë që kishin ajo që shihte shumë pak atë kohë dhe  burri i saj i verbër, ata u deturuan pas fillimit të luftës edhe të linin gjithçka dhe të merrnin rrugën prej refugjati, për shkak të përndjekjes nga ushtria serbe.

E jeta pasi ata u larguan drejt Italisë nuk është se ishte më e mirë. Atje ajo dhe familja e saj pesë anëtarshe kanë pasur mungesë të gjerave elementare. Përveç kësaj, atje Jetullahut i ndodhi edhe fatkeqësia më e madhe ku pas një rrëzimi dhe mos përkujdesje nga mjekësia atje, ajo humbi komplet shikimin e saj.

Ajo ishte e pranishme në hapjen e kësaj ekspozite, ku pasi falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen, tha se është munduar të shpjegojë gjithçka çfarë ka mundur për hallet dhe problemet e këtij komuniteti.

“Jam munduar që t’i shpjegoj ato pak çka kemi mujt për hallet dhe problemet tona. Çdo person i cili e ka përjetuar këtë luftë famkeqe e dimë që nuk e ka kaluar mirë, mirëpo në veçanti personat e verbër të cilëve u është nevojitur ndihma e dikujt tjetër.”, tha Jetullahu e cila ndër të tjerash tregoi edhe histori të tjera të personave të verbër që kanë përjetuar gjatë luftës.

Ndërkaq, Ambasada e Zvicrës ka qenë donatori i parë i cili e ka mbështetur ‘Muzeun Virtual të refugjatëve’  dhe themelimin e tij. E në emër të ambasadës, në hapjen e kësaj ekspozite foli Vincent Hug i vili tha se eksodi i refugjatëve gjatë luftës ka qenë një pjesë esenciale e historisë së Kosovës, është po ashtu një pjesë esenciale e të tashmes se Kosovës.

“Përreth 1 milion njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe shumë prej juve që jeni prezentë këtu gjithashtu mund ta keni përjetuar këtë eksperiencë. Megjithatë dokumentimi i eksperiencavetë refugjatëve dhe memoralizimi i tyre është akoma një mungesë e madhe.”, u shpreh Hug i cili më tutje tha se kjo ekspozitë ka të bëjë me mirënjohjen mbi një eksperiencë dramatike të largimit nga shtëpia, nga vendi në frikë dhe terror, mirënjohje për të gjithë këta njerëz që i përjetuan këto situata”

Një nga hulumtueset e ‘Muzeut virtual’, Rita Berisha u shpreh se gjatë punës në teren kanë zbuluar shumë ngjarje që nuk janë parë e dëgjuar më herët.

“Është e rëndësishme që muzeu virtual të vazhdojë sepse çdo herë e më shumë dalin identitete të cilat nuk kemi arritur t’i prekim në ciklin paraprak dhe ka akoma storie për t’u treguar.”, u shpreh Berisha.

Ju kujtojmë që Muzeu Virtual i Refugjatëve është krijuar nga Youth Initiative of Humans Rights në Kosovë, si organizatë e përkushtuar në procesin e ballafaqimit me të kaluarën në rajon./ KultPlu.com

Të ngjajshme