Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan

8 Qershor, 2025 - 1:38 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar.

Po ashtu ky muze mbetet një destinacion tërheqës për turizmin e kulturës, ndërsa në 4 muajt e parë të vitit ka pritur mbi 3900 vizitorë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga muze, të cilin e konsideroi një thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan.

Që prej vitit 1980 ky muze ruan një trashëgimi të vyer duke reflektuar një pasuri të jashtëzakonshme kulturore.

Këtu gjenden mbi 5 mijë objekte nga periudha mesjetare, përfshirë ikona, dorëshkrime dhe artefaktet të tjera që datojnë nga shekulli i XIII deri në shekullin e XIX.

Shumë ikona të krijuara nga mjeshtra të njohur si Onufri, Konstandin Shpataraku dhe Nikolla janë shpirti i këtij muzeu dhe mbajnë brenda tyre shumë histori.

Teknikat e avancuara të përdorura për krijimin e këtyre ikonave tregojnë aftësitë dhe kreativitetin e artistëve mesjetarë shqiptarë.

Ky muze është një qendër e rëndësishme për restaurimin dhe ruajtjen e ikonave duke siguruar që këto thesare të çmuara të mbeten të paprekura për brezat e ardhshëm.

Gjithashtu në këto hapësira organizohen ekspozita speciale dhe evente kulturore të cilat e  kthejnë në një platformë për artistët bashkëkohorë duke promovuar artin mesjetar në një kontekst modern si një pikë kyçe e turizmit kulturor. Ky muze në Korçë gjatë vitit 2023 u vizitua nga 30 mijë njerëz./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme