21 Qershor, 2025 - 4:11 pm
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” vijon të tërheqë kuriozitetin e turistëve të huaj.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e një turisti anglez nga vizita e tij në këtë muze.
“Izolimi i vendit gjatë diktaturës bëri që Shqipëria të mbetej e ndarë nga pjesa tjetër e botës. Jack nga Anglia ishullore, del me mbresat më të mira nga ballafaqimi në muze me të shkuarën totalitare, jetën e përditshme, dhe pse Shqipëria ishte dikur për të dhe për shumë të tjerë, një vend pothuajse i panjohur”, shkruan Gonxhja.
Jack tha se “absolutisht interesant aspekti i jetës në Shqipëri për të cilin në Angli dimë fare pak. Por është gjithashtu shokuese njohja se si funksiononte aparati shtetëror”.
“Më vjen shumë mirë që këto janë ruajtur dhe do t’ia tregoni brezave në të ardhmen”, tha Jack.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj 2017. Ai është nga më të veçantët në vendin tonë, që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret, nga viti 1944 – 1991.
E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me Gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura në koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/ KultPlus.com