Rama: Muzeu Hebarik në Vlorë, një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve

17 Maj, 2022 - 10:15 pm

Në Tiranë u prezantua sot projektit fitues për Muzeun Hebraik Shqiptar, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”, muze që do të hapet në Vlorë dhe do të tregojë të dokumentuar historinë e rrallë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve në vitet e errëta të Holokaustit.

Në ceremoninë e prezantimit të projektit fitues të Muzeut Hebraik Shqiptar, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan per Zhvillim, Michael Granoff, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, etj.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “është një nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë një muze i një historie e të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma”.

“Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e madhe për të pasur vetëm një muze ashtu sikurse lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi dhe një adresë sa i përket historisë së kësaj lidhje”.

Në fjalën e tij, Kryetari i AADF, Granoff theksoi se “nëse ka një mësim që mund të marrim nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhur me besën, shembulli është se çfarë mund të ndodhë sot në botë dhe mjafton të lexoni gazetën për të parë se çfarë nuk po ndodh në botë sot”.

“Ky muze ka mundësinë dhe potencialin të jetë simbol që mund të bëjë krenar njerëz në të gjithë botën. Është një shembull që shqiptarët jo vetëm të mësojnë diçka për historinë e tyre, por edhe diçka që ta kenë krenari dhe mundësi që njerëzit të vizitojnë Shqipërinë dhe të mësojnë diçka mbi trashëgiminë kulturore të këtij vendi që mbase nuk e dinin se ekzistonte”, tha Granoff.

Sipas tij, ky muze do të përfshihet në listën e çdo personi që vjen e viziton Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese, një vend rrëfimi për historitë edhe të atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i vogël i popullsisë as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbushur plot me dashuri për njeriun”.

“Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptareve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri”, nënvizoi Margariti.

Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë.

Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme