Turistja arbëreshe në muzeun e Onufrit: Berati qenka vërtet i bukur

14 Qershor, 2025 - 8:00 pm

Muzeu Kombëtar “Onufri” në kalanë historike të Beratit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përcolli në rrjetet sociale mesazhin e një turisteje arberëshe që vizitoi muzeun e Onufrit.

“Nga Kalabria në Berat, një arbëreshe ndalet përballë ikonave të Onufrit, aty ku gjuha e artit dhe gjuha e gjakut flasin të njëjtën histori”, tha Gonxhja.

Nga ana e saj, turistja thotë se vjen nga Kalabria, ndërsa nëna e saj ka pasur mbiemrin Minishi si arbereshe që ishte, ndërsa gjyshërit ishin italianë. “Ne arbëreshët, qëndruam siç erdhëm 500 vite më parë, aty ku jemi vendosur me të gjitha traditat tona në shumë zona të Kalabrisë. Është hera e parë që vij në Shqipëri, pasi ne themi shpesh Arbëria është në zemrën tonë. Erdha sepse jemi vëllezër, motra, jemi vëllazëri e vërtetë. Jam pritur shumë mirë dhe jam e lumtur që jam këtu”, thotë ajo.

Njëherësh, turistja thotë se është kthyer pas 500 vitesh, erdha në shtëpinë e etërve të saj. “Erdha në Berat dhe Berati qenka vërtet i bukur. Nuk e dija që do të ishte një vend kaq i bukur. U ngjita në kala, erdha në këtë kishë, dhe m’u hap zemra që të shihja gjithë këto ikona që të flasin. Është vërtet shumë i bukur”, pohoi turistja arbëreshe.

Muzeu, i vendosur në ambientet e Kishës së Shën Mërisë në kalanë historike të Beratit, ruan mbi 2,000 objekte të përzgjedhura me kujdes nga kishat dhe manastiret e zonës. Në këto objekte përfshihen ikona, libra liturgjikë, relike dhe objekte të tjera me vlerë artistike dhe fetare.

Gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, muzeu ka mirëpritur një numër rekord vizitorësh, duke tejkaluar 30,000 vizita, një tregues i rritjes së interesit për trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme