Muzeu Arkeologjik i Butrintit ftesë për tur virtual

11 Mars, 2020 - 10:41 am

Edhe pse nuk mund të udhëtojmë si do të dëshironim, sidomos këto ditë të përhapjes së koronavirusit dhe kur rekomandohet kufizimi i lëvizjeve të panevojshme, kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti fton në një tur virtual brenda Muzeut Arkeologjik të Butrintit. “Teknologjia na sjell në brendësi të Muzeut Arkeologjik të Butrintit, duke na prezantuar me shtatoren misterioze, ku paraqitet figura e një gruaje. Kjo skulpturë prej mermeri, e realizuar në teknikën e skalitjes, i përket artit romak të shekullit II para Krishtit – IV pas Krishtit”, shprehet Margariti.

Shtatorja origjinale që ndodhet në këtë muze, paraqet një grua me qëndrim në këmbë, me gjurin e djathtë paksa të thyer. Mbi rrobën që mbulon trupin, ka një pelerinë që kalon në supin e majtë. Përdridhet rreth belit dhe përfundon në anën e majtë të trupit, ku krijon disa pala që shkojnë deri pak poshtë gjurit.

Edhe pse shtatores i mungojnë koka, krahët dhe këmbët, figura rrëfen vlera historike dhe mjeshtërore duke na bërë të imagjinojmë se si ka qenë jeta në të shkuarën. / KultPlus.com

Të ngjajshme