12 Gusht, 2025 - 12:30 pm
Në zemër të qytetit të Lezhës, në një ndër godinat më autentike të tij, ndodhet Muzeu Etnografik, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Kjo hapësirë muzeale është shndërruar në një pikë referimi për këdo që dëshiron të zbulojë më shumë mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.
Brenda ambienteve të muzeut ruhen me kujdes objekte të çmuara që pasqyrojnë mënyrën e jetesës së shqiptarëve ndër shekuj. Vizitorët kanë mundësi të shohin armë të vjetra, flamuj historikë, kostume popullore tradicionale si dhe mjete të përdorura në jetën e përditshme, të cilat së bashku krijojnë një mozaik të pasur të jetës shqiptare, transmeton KultPlus.
Sipas Zefit, një nga përfaqësuesit e muzeut, interesimi nga vizitorë ndërkombëtarë është në rritje. Turistët shprehin kureshtje për të mësuar më shumë rreth kulturës, zakoneve dhe historisë së vendit, duke e parë muzeun si një vend ideal për këtë qëllim.
Muzeu Etnografik i Lezhës mbetet një ndër pikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në veriun e Shqipërisë. Përveçse vlerë për komunitetin lokal, ai shërben si një portë hyrëse për të gjithë ata që duan të njihen nga afër me rrënjët dhe shpirtin e kulturës shqiptare./KultPlus.com