Muzeu Etnografik në Elbasan, një ftesë për turistët vendas e të huaj

19 Maj, 2021 - 12:12 pm

Pozicionuar në qendër të qytetit, jo larg Kalasë së Elbasanit, Muzeu Etnografik në Elbasan është një shtëpi dykatëshe e shekullit të 18-të që ruan kulturën, folklorin dhe stilin e jetesës së qytetit.

Ndërsa ndau një tur virtual në këtë muze, deputeti i PS-së në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla tha se në këtë muze gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike të Elbasanit me çardak.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vizitë virtuale në Muzeun Etnografik të Elbasanit, ku gjenden vlerat etno-kulturore të shtëpisë karakteristike me çardak dhe ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të realizuara ndër vite nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Balla.

Muzeu Etnografik ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Në vështrim të përgjithshëm ndërtesa i ngjan shumë shtëpive karakteristike në zonat e Beratit, Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Muzeu gjendet në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit. Ndërtesa është 200-vjeçare dhe përfaqëson një nga shtëpitë tipike të stilit post-mesjetar shqiptar. Godina dykatëshe shquhet për ballkonin e madh të shtruar e të rrethuar nga druri. Në gjuhën e folkut shqiptar ky konstruksion njihet si çardak.

Muzeu pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme, zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës.

Mbresëlënës janë mullinjtë primitivë të vajit dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti. Për këtë të fundit etnografët thonë se tregon vendndodhjen e dikurshme të Elbasanit. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme