займ на карту онлайн потребительский кредит

Muzeu Etnologjik mbyllet për dy javë shkaku i pandemisë

28 Tetor, 2020 - 10:30 am

Pandemia ka mbyllur prapë për vizitorë Muzeun Etnologjik. Kësaj radhe një gjë e tillë nuk ndodh shkaku i ndonjë vendimi shtetëror, por një nga punonjësit ka rezultuar pozitiv në testin për COVID -19. Kësisoj për dy javët në vazhdim ajo që njihet si “shtëpia e familjes”, që i takon shekullit XIX, nuk do të jetë e qasshme për vizitorë. Lajmi është bërë i ditur të martën nga punonjësit e Muzeut Etnologjik.

“Meqë në stafin e Muzeut Etnologjik kemi tanimë rast aktiv me COVID-19, sipas rekomandimit të IKSHP-së, hapësirat tona do të qëndrojnë të mbyllura derisa të përfundojë periudha e izolimit dyjavor”, shkruhet në njoftimin e stafit të Muzeut. Ky institucion ishte i mbyllur më 13 mars, sikurse krejt institucionet kulturore të vendit shkaku i pandemisë. Ishte rihapur më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Por janë bërë tre vjet prej kur vetëm një prej dy ndërtesave të Muzeut është në dispozicion të vizitorëve. Në fund të tetorit të vitit 2017, shtëpia e shekullit XIX, në kuadër të kompleksit “Eminxhiku”, ishte shndërruar në vendpunishte. Në fund të dhjetorit të atij viti ishte ndërprerë puna për të mos nisur më.

Ministria e Kulturës, qysh prej qershorit të këtij viti, është në kërkim të një kompanie që do ta vazhdojë punën për t’i dhënë formë shtëpisë që tash është veç “skelet”.

Prej ndërprerjes së punës – pasi u konstatua se nevojitej një projekt i ri meqë zhveshja e mureve kishte nxjerrë në pah gjendjen reale të ndërtesës – Ministria e Kulturës vazhdimisht ka pretenduar se punimet do të nisnin së shpejti. Në vjeshtën e kaluar zyrtarët ministrorë kishin thënë se në pranverë do të nisë puna. Por kjo nuk ka ndodhur për t’u paralajmëruar këtë vjeshtë. Sipas dosjes së tenderit, kanë aplikuar gjithsej nëntë kompani. Çmimi më i lartë ishte 89 mijë euro, kurse më i ulëti ai me 33 mijë euro. MKRS-ja është përcaktuar që punimet t’i kryejë “Albi Company” me seli në Rahovec, për 52 mijë e 308 euro. Oferta më e lirë ishte ajo e kompanisë “Tosi N” nga Peja, me 33 mijë euro. Por Ministria e Kulturës ofertën e kësaj kompanie e ka shpallur të papërgjegjshme për shkak të një vargu kriteresh, e midis tjerash, edhe për çmimin e ofruar për kryerjen e punës.

“Oferta juaj në përputhje me nenin 61.4 është konsideruar si ofertë abnormalisht e ulët”, shkruhet në përgjigjen që MKRS-ja ia ka kthyer kësaj kompanie. Sipas dosjes së tenderit, e njëjta kompani është ankuar në ditën e 11-të të shtatorit, por MKRS-ja ankesën e ka vlerësuar si të pabazuar në ditën e 23-të të po atij muaji./ Koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme