Muzeu Historik Kombëtar, Memorandum Mirëkuptimi në fushën e trashëgimisë kulturore

5 Shtator, 2018 - 9:00 am

Dje, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në fjalën e tij Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar ndër të tjera tha: “Është kënaqësi e veçantë për ne, që sot në prag të përurimit të ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe të promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko po nënshkruajmë këtë Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që do të pasohet me nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Përbashkët më datën 14 tetor 2018, ku jemi të ftuar për çeljen e ekspozitës “Unë jam shqiptar” në Shkup. Unë besoj se aktivitete të tilla kulturore do të na japin mundësinë për sfida të reja për të ardhmen, duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në fushën e botimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve që përfaqësojmë”.

Në vijim e mori fjalën dr. Skënder Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili theksoi: “Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet institucioneve tona është një ngjarje e madhe për ne. Është në nderin tonë që nënshkruam këtë Memorandum Mirëkuptimi me Muzeun Historik Kombëtar, si institucion shkencor në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndihmesa e Muzeut Historik Kombëtar mendoj se do të jetë e vyer në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, bashkëpunim që do të reflektohet edhe në botimet e përbashkëta. Nuk është e rastit që bashkëpunimi ynë fillon në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, e cila ka lindur në Shkup në kryeqendrën e Dardanisë”.

Në përfundim të fjalëve të rastit të dy titullarët e institucioneve nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Produkti i këtij bashkëpunimi është ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” dhe promovimi i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme