19 Gusht, 2025 - 4:50 pm
Në Vuno, Himarë do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve, një projekt që sjell në atdhe kujtesën, kulturën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur gjuhën dhe traditat për më shumë se pesë shekuj larg Shqipërisë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja inspektoi hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve.
“Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
“Ky muze do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin shpirtëror e kulturor me komunitetet arbëreshe në Itali”, theksoi Gonxhja.
I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara.
“Ky restaurim i kishave si dh ngritja e muzeut do ta kthejnë zonën në një ansambël mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itinerareve”, tha Gonxhja.
Gonxhja vuri në dukje se “ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e turizmit historik e kulturor përtej sezonit të plazhit dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e kulturore, por edhe të angazhimit të komunitetit”.
Ky muze, sipas ministrit Gonxhja është një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.
Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish-shkollën 8-vjeçare në Vuno, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshësh, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.
Muzeu do të shërbejë gjtihashtu si një pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno./atsh/KultPlus.com