21 Korrik, 2025 - 1:20 pm
Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon të pasurojë koleksionin e tij me publikime të reja nga fondi i pasur i objekteve, duke prezantuar këtë herë ikonën me titull “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.
Kjo ikonë daton në mes të shekullit të XVII-të dhe ka origjinë nga Kisha e Shën Marisë në Vllahernë të Beratit.
Ikona përshkruan momentin e hyrjes së Shën Marisë në tempull, një ngjarje me rëndësi të madhe në traditën ortodokse. Në skenën qendrore, Shën Maria paraqitet në moshën 3-vjeçare duke ngjitur shkallët e tempullit të Solomonit. Ajo shoqërohet nga prindërit e saj, Joakimi dhe Ana, ndërsa pas tyre qëndrojnë dhjetë virgjëresha, simbol i pastërtisë dhe përkushtimit shpirtëror.
Në hyrje të tempullit, Profeti Zaharia pret me fjalët e tij të bekuara: “Ti je e përzgjedhura ndër të gjithë brezat”. Sipas traditës, Shën Maria qëndroi në tempull deri në moshën 14-vjeçare, pas së cilës ndodh ngjarja e “Ungjillëzimit”, e ilustruar në skenën e sipërme të ikonës, përcjellë KultPlus.
Kisha, nga e cila rrjedh kjo ikonë, ndodhet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Beratit dhe përbën një nga ndërtimet më të vjetra mesjetare të kultit në qytet. Brenda saj, një dysheme e zbukuruar me një rozetë dekorative dhe piktura murale të realizuara nga Nikolla, biri i Onufrit, në vitin 1578, dëshmojnë për rëndësinë historike dhe artistike të vendit. Në dritaren e absidës dhe murin verior të kishës janë të ripërdorura elemente arkitektonike paleokristiane, që shtojnë vlerën e saj kulturore.
Ky objekt i vyer është një dëshmi e gjallë e traditës ikonografike shqiptare dhe pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore, që Muzeu i Artit Mesjetar vazhdon ta ruajë dhe promovojë me përkushtim./atsh/KultPlus.com