Muzeu i Louvreit ekspozon online koleksionin e plotë

29 Mars, 2021 - 3:28 pm


Muzeu i Louvreit ka lansuar një platformë online ku po i ekspozon të gjitha veprat e muzeut, që janë më shumë se 480 mijë.

(CNN) – Nuk ka asgjë më të mirë sesa të kalosh një pasdite me shi në muze, zhytur në bukuritë dhe mrekullitë e artit dhe historisë. Tani, Muzeu i Louvreit – muzeu më i vizituar në botë – po jua mundëson këtë nga shtëpia juaj.

Muzeu francez ka lansuar një platformë online ku po i shfaq të gjitha veprat e muzeut, që janë më shumë se 480 mijë. Këtë e ka bërë të ditur vetë muzeu, në një komunikatë për media.

Adhuruesit e artit dhe hulumtuesit tani e kanë mundësinë që ta shohin të gjithë koleksionin online dhe pa pagesë.

Ueb-faqja do ta bëjë të qasshëm shikimin e tetë departamenteve të koleksionit, duke nisur nga arti islamik e deri te skulpturat e renesancës, artefaktet e Egjiptit dhe piktura nga artistë nga mbarë bota.

“Sot, Muzeu i Louvreit është duke larguar pluhurin nga thesari i tij, deri te më i vogli”, citohet të ketë thënë drejtori i Louvreit. “Për herë të parë çdokush mund të ketë qasje në të gjitha veprat e koleksionit nga një kompjuter ose telefon i mençur dhe atë gratis, edhe nëse veprat janë duke u shfaqur në muze, të huazuara, apo edhe të vendosura në garazh”.

“Trashëgimia e mrekullueshme e Muzeut të Louvreit tani është një klikim larg”, ka shtuar ai. “Jam e sigurt që kjo përmbajtje digjitale do t’i inspirojë në të ardhmen njerëzit për të ardhur dhe për ta zbuluar këtë koleksion edhe në mënyrë fizike”.

Në komunikatë është bërë e ditur se vizitorët mund ta shohin koleksionin masiv të muzeut nëpërmjet kërkimeve të avancuara, duke kërkuar departamentin specifik, temën ose të ngjashme.

Ueb-faqja ka një hartë interaktive, që ua mundëson njerëzve ta eksplorojnë muzeun dhe çdo vepër nga një hapësirë në tjetrën.

Në komunikatë është bërë e ditur se ueb-faqja do të përditësohet rregullisht nga ekspertë të muzeut, të cilët do ta zgjerojnë gradualisht koleksionin.
Përderisa Muzeu i Louvreit vazhdon të jetë i mbyllur që prej tetorit të vitit të kaluar, aty po bëhen renovime afatgjate. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme