Myslimanë e katolikë në Lipjan, jetojnë në një shtëpi, shkojnë bashkë në kishë e xhami

16 Dhjetor, 2018 - 5:00 pm

Shumica e familjeve në fshatin Brus të Komunës së Lipjanit kanë dy besime. Brenda së njëjtës familje, disa prej anëtarëve janë myslimanë e të tjerë janë konvertuar në të krishterë. Ekipi i Gazetës Express sjell rrëfimin për familjet e këtij fshati.

Jetojnë brenda një shtëpie, e kanë të njëjtin gjak, por ajo që i dallon është besimi. Njëri vëlla është i krishter, e tjetri mysliman.

Por, pavarësisht kësaj, kjo familja jeton në harmoni sikur më parë.

Toleranca fetare mes tyre shkon deri aty, saqë edhe pse u përkasin besimeve të ndryshme, ata gjatë festave shkojnë së bashku në kishë dhe xhami.

Kjo është jeta që bëjnë tash e sa kohë banorët e fshatit Brus të Komunës së Lipjanit, fshat i cili njihet për tolerancë ndër fetare.

E ardhur kohë më parë nga Llapushniku i Drenasit, familja Gashi i takonte fesë islame. Të gjithë anëtarët e kësaj familje kishin këtë besimin.

Por, pasi ndërruan vendbanimin e u shpërngulën në fshatin Brus të Lipjanit, disa prej anëtarëve të kësaj familje vendosën që ta lënë fenë islame, e ta pranojnë atë katolike.

Shumica e familjeve në këtë fshat u përkasin besimeve të ndryshme.

Kryefamiljari i familjes Gashi, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, thotë se ndërrimi i fesë nuk ishte pengesë për ta. Ai tregon se vazhdojnë të festojnë festat e të dy feve së bashku e në harmoni.

“Kjo ka ardhur si shkak i martesave, disa janë martuar me myslimanë, disa me katolikë. Ata e vazhdojnë fenë e vet si myslimanë, ne si katolikë. Nuk ndikon feja tek ne”, shprehet ai.

Deklaron se edhe pse i përkasin dy feve të ndryshme, ata vazhdojnë të jenë vëllezër, dhe se martesat ndër fetare për ta janë normale.

Ai, thotë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem mes këtyre familjeve. Por, fshati që tash e sa kohë njihet për tolerancën ndër fatare po boshatiset dita-ditës.Tash e sa kohë, banorët kanë filluar të shpërngulen në fshatrat përreth. Shtëpitë që dikur ishin plotë tash kanë mbetur të zbrazëta.

Banorët thonë se ata kanë filluar të shpërngulen në fshatrat përreth që të afrohen më afër familjarëve të tyre. Derisa shtojnë se nëse vazhdojnë të largohen banorët me këtë ritëm, fshati do të mbetet i zbrazët. Ndryshe, fshati Brus gjendet në zonën më të thellë të Komunës së Lipjanit.

Të ngjajshme