‘Natën e Shingjergjit prehet kingji’

12 Mars, 2019 - 9:40 pm

Ky asht tregimi për festën e Shingjergjit, festë të cilën e festojnë kryesisht romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Këtë tregim e tregon personalisht Hysnije Jaha në mënyrën si e festojnë ashkalitë këtë festë.

Shëngjergji është nji festë për ne sikurse Bajrami për muslimanë e Krishtlindja për serbët e katolikët. Nji javë para Shingjergjit e pastrojmë shtëpinë, i lajmë të gjitha tepihat, perdet, tona çka ka me u la.

Blehet kingji tre-katër ditë përpara, mahet mirë e f’mija gëzohen e lozin me të.

Natën e Shingjergjit prehet kingji.

Kur o kon mullini, shkojshim me mar ujë, pak hitha, pak bari, e rujshim ka ni vo të velikdanit, e në sabah ditën e Shingjergjit i stërpikim fmitë me u çu heret kurse gjatë ditës i lajmë fmitë. Ujin e mullinit, barin, hithat dhe votë i qesim krejt në nji kofe, i lajmë f’mitë dhe pastaj i veshim me tesha t’ reja që iu kemi ble dy tre ditë përpara Shengjergjit. Dytën ditë të Shingjergjit hahet silla e Shingjergjit.

Aty mbledhen familja e madhe, djemtë, nipat, mesat e rejat.

Mas dreke shkojmë te familjet tona me bo për hajr Shingjergjin. Aty na presin me omëlcina dhe soka. Tretën ditë të Shingjergjit u veshim edhe na t’ mdhejt, dilshim n’ park ku bojke muzika, k’cejshim, lujshim edhe na në mënyrën tonë deri vonë. Ma së shumti e majnë gabelt (emërtim i ashkalive për romët).

Ata prejnë ka dy-tre kingja dhe e majnë në mënyrë të vet ku shpenzojnë shumë pare për Shingjergj.

Kjo festë mbahet katër ditë.

(Tregim i marrë nga një botim i vitit 2012, me titullin PËRMBLEDHJE E TREGIMEVE TË SHKURTËRA RRËFIME TË URTA – Ky dokument është prodhuar brenda kornizës së projektit të përbashkët ‘BE/KE – Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë’. )

Të ngjajshme