Ndërtesa e ish-Gjykatës në Vushtrri bëhet pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme

22 Qershor, 2021 - 5:54 pm

Listës për Trashëgimi Kulturore në Mbrojtje të përkohshme, sot i është shtuar edhe ndërtesa e ish-Gjykatës në Vushtrri, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet një postimi në Facebook, ku kanë shtuar se kjo ndërtesë hyn në grupin e objekteve me karakter publik-administrativ.

Ish objekti i Gjykatës Komunale në Vushtrri, i përket stilit të arkitekturës moderne, të ndërtuar në vitin 1963. Ndërtesa është pjesë e kuadrit vizual të shumëllojshëm të qytetit që paraqet një ansambël unik në memorien e qytetarëve.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Pasurohet Lista e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme

Në pajtueshmëri me Nenet 3 dhe 4 të Ligjit Nr.02/L-088 për Trashëgimi Kulturore, sot në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të përkohshme është shtuar Ndërtesa e ish-Gjykatës në Vushtrri.

Kjo ndërtesë me karakteristikat arkitekturale, historike, kulturore dhe shoqërore i takon grupit të objekteve me karakter publik-administrativ.

Ish objekti i Gjykatës Komunale në Vushtrri, i përket stilit të arkitekturës moderne, të ndërtuar në vitin 1963. Ndërtesa është pjesë e kuadrit vizual të shumëllojshëm të qytetit që paraqet një ansambël unik në memorien e qytetarëve.

Në aspektin arkitektonik ndërtesa dallohet për nga formësimi i pastër vëllimor, proporcionet humane dhe elementet e thjeshta të kompozuara në një simetri vertikale, të theksuara në pamjen që ka.

Ndërtesa duke ndjek parimet e modernizmit ku forma përcjell funksionin, përvetëson minimalizmin, duke refuzuar ornamentikën, bëhet prezantuese e denjë e këtij stili në një ambient kulturo-historik. Arkitektura e ndërtesës është e integruar në hapësirën që e rrethon. Proporcionet dhe trajtimi arkitektonik në kohën kur është ndërtuar, ka paraqitur një qasje të re në arkitekturë që shprehet përmes përdorimit të teknikës dhe materialeve bashkëkohore.

Me ndërtimin e këtij objekti me destinim të ri, janë pasuruar funksionet administrative të qytetit duke e gjallëruar qendrën e qytetit. Duke pas parasysh se ndërtesa ka pasur funksion publik, së bashku me Postën dhe Kinemanë e qytetit, ka qenë pjesë e përditshmërisë së banorëve, dhe si e tillë ka definuar këtë hapësirë urbane duke diktuar vijat e ecjes dhe duke shërbyer edhe si pikë referuese.

Sot ndërtesa posedon të gjitha vlerat kryesore arkitekturore, si ato te autenticitetit dhe ato stilistike, të cilat kanë potencial të ruhen si të tilla kurse funksioni t’i adaptohet nevojave dhe kërkesave bashkëkohore.

Trashëgimia kulturore është një vlerë e përbashkët e cila i përafron komunitetet, bënë ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet të kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes, dhe kontribuon në ringjallje ekonomike dhe shoqërore.

Gjithmonë në harmoni me Konventat ndërkombëtare, qëllimi i mbrojtjes së ndërtesës është definimi profesional i vlerave dhe rëndësisë që ka, si dhe transmetimi i tyre tek brezat e ardhshëm. Ndërsa, duke e ri funksionalizuar atë në bazë të kërkesave dhe nevojave të komunitetit dhe në shërbim të tij sigurohet pjesëmarrja demokratike dhe qasja në trashëgimi kulturore./ KultPlus.com

Të ngjajshme