Ndotja nga minierat dhe ujërat e zeza, Liqeni i Pogradecit rrezikon të dalë nga UNESCO

10 Janar, 2022 - 6:30 pm

Liqeni i Ohrit, që afekton jetën e më shumë se 180 mijë banorëve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kërcënohet nga tonelata mbetjesh të industrisë minerare dhe nga ujërat e zeza që derdhen në të. Efektet kanë filluar të ndihen dhe disa lloje peshqish janë drejt zhdukjes. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje sipas orientimeve të UNESCO-s, atëherë liqeni i Ohrit rrezikon të dalë përfundimisht nga lista e pasurive botërore.

Autor: Roland Beqiraj

Misioni i fundit i ekspertëve dhe vëzhguesve të UNESCO-s, i cili pa nga afër situatën në të gjithë zonën e mbrojtur të Pogradecit, që përfshin një sipërfaqe prej 11.300 ha, la mbi tryezën e autoriteteve shqiptare 32 rekomandime.

Zhvendosja e mineraleve apo mbetjeve të tyre, të depozituara prej vitesh në bregun e liqenit dhe në peizazhin e mbrojtur, trajtimi i ujërave të zeza, që derdhen në liqen, si dhe rehabilitimi i fushës së mbetjeve, u konsideruan emergjencë.

Edhe pse ky site i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, veç statusit të UNESCO-s, gëzon edhe statuse të tjera mbrojtëse nga legjislacioni vendas, autoritetet, jo vetëm që nuk janë treguar të gatshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kjo mbrojtje e shumëfishtë, por janë neglizhente ndaj problematikave.

Industria minerare e ktheu në “tokë të djegur” zonën e mbrojtur

Ismet Krasta është një prej minatorëve të Çervenakës, i cili prej vitesh punon për nxjerrjen e mineralit të hekur-nikelit në një minierë, që ndodhet në pjesën lindore të fshatit.

Mbarimi i rezervave nëntokësore të mineralit, i cili vazhdon të ketë treg të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, i ka orientuar subjektet e shfrytëzimit drejt nxjerrjes së mineralit nga faqet e maleve, përmes asaj që minatorët e quajnë teknika me zbulim.


“Kam vite që punoj si minator dhe kompania është përpjekur që të mos e lërë për një kohë të gjatë mineralin e depozituar në të njëjtin vend, por ta ngarkojë sa më parë nëpër kamionë dhe ta dërgojë drejt Qafë-Thanës, për të mos shkaktuar edhe ndotje të ambientit
”, – thotë Ismeti.

Zona e Gurit të Kuq

Çervenaka është një prej fshatrave buzë liqenit të Ohrit, ku është përqendruar një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit minerar të Pogradecit.

Bilal Krasta, i cili ka punuar për 10 vite në galeritë e Çervenakës, thotë se procesi i ndarjes së sterileve është i vështirë dhe zgjat disa ditë, ndaj ndotjet nuk janë të pakta.

Shirat e shumtë i shpëlajnë sterilet, duke i çuar në liqen dhe duke kontaminuar kështu të gjithë basenin ujor. Pasojat negative bien edhe mbi shëndetin e banorëve që jetojnë buzë liqenit, të cilët e përdorin ujin e tij për të vaditur, për të larë apo edhe konsumojnë sistematikisht peshkun e tij.

Bilal Krasta, ish-minator

Në hyrje të Pogradecit, përgjatë bregut të liqenit të Ohrit, gjendet ende çfarë ka mbetur nga ish-stacioni i trenit të Gurit të Kuq, ndërsa mbi aksin nacional ndodhet gërmadha e ish-fabrikës së përpunimit të hekur-nikelit, ku ka ende sasi të pakta mbetjesh minerale.

E gjithë sipërfaqja rreth tyre është një vend-depozitim gjigant për mbetjet e ndryshme, mes të cilave edhe ato minerare.

Me sy të lirë dallohen mbetjet në pirgje masive të qymyrit, hekur-nikelit dhe kromit në Gur të Kuq, Pojskë dhe Çervenakë, kurse dampat, ku për dekada është pastruar minerali, janë dëshmi e masakrës mjedisore që është bërë në kurriz të liqenit.

Mbetje të mineraleve në afërsi të bregut të liqenit

Popullimi i bregut të liqenit pas viteve ‘90 i ka ekspozuar banorët veç të tjerash edhe ndaj ndotjeve të mbetjeve sterile të mineraleve.

Përveç Çervenakës, në Peizazhin e Mbrojtur Ujor-Tokësor sipas Bashkisë së Pogradecit, aktivitet minerar ka edhe në afërsi të fshatrave Pojskë, Memelisht, Gur të Kuq dhe në fshatra të tjerë, të përfshirë në perimetrin e zonës së mbrojtur.

Sipas Bashkisë së Pogradecit, vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin dhjetë subjekte, të cilat shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen për nxjerrjen e mineraleve të hekur-nikelit, kromit, qymyrit, si dhe mineraleve të tjera.

Këto subjekte përveç dëmit të shkaktuar në liqen përmes aktivitetit të tyre dhjetëvjeçar, në mënyrë sistematike nuk kanë respektuar as lejet mjedisore, çfarë është konstatuar edhe nga kontrollet e inspektorëve të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Korçë.

Nga ana jonë janë mbajtur tri procesverbale për subjektet minerare, që janë konstatuar duke kryer gërmime në fond pyjor pa u pajisur me dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, është gjetur në shkelje edhe një subjekt, i cili ushtron aktivitet në galeri”, – thotë Iljon Thanasi, drejtor i ADZM në Korçë, duke shprehur qartazi kundërshtimin për veprimtarinë e industrisë minerare në Zonën e Mbrojtur të Pogradecit.

Administrata e Zonave të Mbrojtura, Korçë që me krijimin e saj nuk ka lidhur asnjë kontratë për dhënie sipërfaqeje në përdorim për aktivitete minerare, pasi ne jemi kundër zhvillimit të këtij aktiviteti në territorin e zonave të mbrojtura, ku më problematike ndër vite ka qenë dhe vazhdon të jetë zona e Çervenakës( ish-karrierat e minierës)”, – shprehet Thanasi.

Ndërkohë që mbetet e pazgjidhur edhe problematika e subjekteve që e kanë mbyllur aktivitetin shfrytëzues, por mbetjet minerale ende nuk i kanë zhvendosur.

Një nga rekomandimet emergjente, të adresuara nga UNESCO, është edhe mbyllja e dampës së Shllameve dhe rehabilitimi i sipërfaqes pas shfrytëzimit. Por, nga një vëzhgim në terren konstatohet se autoritetet, që ligji ngarkon me përgjegjësi, nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.

E pyetur në lidhje me ecurinë e punës për zhvendosjen dhe rehabilitimin e kësaj sipërfaqeje, Bashkia e Pogradecit është kontradiktore në përgjigje.

Nga njëra anë bashkia thotë se subjekti, që e ka shfrytëzuar, është duke zhvendosur mbetjet e hekur-nikelit, por nga ana tjetër thotë se vetë ajo është në kërkim të gjetjes së një vend-depozitimi jashtë zonës së mbrojtur, ku mund të grumbullohen këto mbetje.

Dampa e Shllameve

Fillimin e procedurave për përcaktimin e vend-depozitimit të mbetjeve minerale e pranon edhe institucioni i Prefektit të qarkut të Korçës dhe më tej pritet zhvendosja e tyre nga firmat që ushtrojnë aktivitet.

E shfrytëzuan, asnjë kompani nuk bën rehabilitim

Pavarësisht detyrimit ligjor shumica e subjekteve, që e kanë shfrytëzuar apo vazhdojnë të shfrytëzojnë nëntokën dhe sipërfaqen në zonën e mbrojtur të Pogradecit, nuk e kanë rehabilituar territorin që kanë marrë në përdorim sipas kontratës.

Asnjë subjekt minerar nuk e ka bërë rehabilitimin e sipërfaqeve të aksidentuara ndër vite dhe ky është një problem shqetësues edhe për ne si institucion. Ne e kemi ngritur disa herë këtë shqetësim, por situata nuk ka ndryshuar”, – thotë ADZM në përgjigjen e kërkesës për informacion.

Mospërmbushjen e detyrimit për rehabilitimin e territorit të dëmtuar nga aktiviteti minerar subjektet e kanë justifikuar me pagesën që i derdhin si garanci financiare çdo vit Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.”, – thuhet më tej në përgjigje.

Në një përgjigje zyrtare Ministria e Infrastrukturës thotë se përgjegjësia për rehabilitimin e mjedisit është e subjekteve që e kanë shfrytëzuar, por i është shmangur pyetjes se sa është shuma e depozituar nga subjektet minerare të Pogradecit në formën e garancisë mjedisore.

Në rastin kur zotëruesi i lejes minerare, që përfshin shfrytëzimin, braktis zonën e lejes minerare apo nuk përfundon zbatimin e plotë të planit të rehabilitimit, rehabilitimi kryhet nga subjekte të specializuara, të përzgjedhura nga struktura përgjegjëse, sipas procedurave të prokurimit dhe shpenzimet përballohen me fondet e garancisë financiare. Ministria nuk mund të alokojë fonde, për sa kohë lejet minerare janë aktive dhe në proces të zhvillimit të aktivitetit minerar”, – thotë MEI në përgjigjen e saj zyrtare për INA MEDIA.

Një subjekt minerar, i cili foli në kushtet e anonimatit, tha për INA MEDIA-n se garancia financiare është e ndryshme për subjektet dhe llogaritet në bazë të sipërfaqes që aksidentohet nga nxjerrja e mineraleve, por mesatarisht ata paguajnë nga 200 deri në 250 mijë lekë në vit.

Eksperti Qirjo ngre shqetësimin se mbetjet nga nxjerrja e mineraleve, që ndryshe quhen mbetje sterile, janë një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në ndotjen e liqenit dhe kërcënojnë ekosistemin e kësaj trashëgimie, ndër më të rrallat në botë.

Kjo problematikë e mbartur ndër vite mbetet e pazgjidhur edhe sot që liqeni i Ohrit ka marrë statusin e UNESCO-s.

Jo vetëm mbetjet sterile, por edhe minerali, që nxirret nga galeritë e Pogradecit, kryesisht kromi dhe hekur-nikeli, kanë në përbërje të tyre elemente të tjera, si kobalti, arseniku, volframi, të cilat, kur mbërrijnë në liqen nëpërmjet rrjedhjeve sipërfaqësore të përrenjve pas shirave, sjellin dëm të jashtëzakonshëm për ekosistemin e liqenit”, – thotë Qirjo.

Për ekspertin rasti më flagrant i ndotjes së liqenit është depozitimi transit i mineralit në Gurin e Kuq.

Kur shiu bie mbi mineralin, që është i depozituar në ambient të hapur, merr me vete dhe çon në liqen veç hekurit, nikelit, edhe kobalt, arsenik dhe titan, elemente që konsiderohen toksike për liqenin.”, – sqaron ai.

Eksperti shton më tej se këto mbetje toksike depozitohen në organizmin e gjallesave të liqenit nëpërmjet ujit ose ushqimit të kontaminuar, pa mundur të treten apo asimilohen.

Në këtë mënyrë toksiciteti i gjallesave të liqenit, si për shembull peshku, kalon te njerëzit që e konsumojnë.

Peshku rrezikon të zhduket nga Ohri

Selmani, pas 5 orësh me varkën e tij në ujërat e liqenit të Ohrit, ka mundur të dalë vetëm me një peshk të kapur me grep. Peshkatari, që për 30 vite me radhë ka peshkuar në pjesën shqiptare të liqenit, tregon se situata ka ndryshuar dhe përveç rrallimit të peshkut disa specie janë zhdukur.

Nga Lini deri në Tushemisht shkojmë me varkat tona, jo vetëm unë, por të gjithë peshkatarët dhe nuk ka aq peshk sa ka pasur vite më parë. Ka ditë që nuk kapim asgjë dhe ka disa arsye që kanë ndikuar. Përveç peshkimit të paligjshëm, liqeni ka ndotje nga mineralet që janë në Gur të Kuq, nga ujërat e zeza të fshatrave, se qyteti e ka të zgjidhur, dhe nga vaskat e troftës.”, – tregon ai, teksa tërheq varkën buzë bregut.

Rreziku që i vjen liqenit nga mbetjet sterile ka dhënë efektet e para, duke arritur deri në zhdukjen e njërës prej specieve të peshkut të këtij liqeni.

Ndotja, që shkaktohet nga mbetjet sterile, është shumë e rrezikshme, sepse ka sjellë dëme kolosale në faunën e liqenit dhe madje ka zhdukur gjallesa, një prej të cilave është edhe peshku skorbus”, – thotë eksperti Mihallaq Qirjo.

Kërkesat e organizatës së trashëgimisë botërore për ruajtjen dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur, duke hartuar dhe duke zbatuar strategji për reduktimin e ndotjes, janë të panegociueshme, konstatojnë ekspertët.

Zvarritja apo neglizhenca për përmbushjen e tyre mund të sjellë penalitete për palën shqiptare, e cila kërkoi me këmbëngulje që liqeni i Pogradecit dhe zona rreth tij të merrnin statusin e UNESCO-s.

Pasuri botërore, por ujërat e zeza i trajton në mënyrë primitive

Qyteti liqenor ka të zhvilluar më së shumti turizmin sezonal dhe banorët, bizneset dhe pushteti vendor janë fokusuar fort te perspektiva turistike e kësaj zone.

Poradecarët jetojnë nga liqeni. Dikush peshkon, dikush lëshon shtëpitë me qira, dikush ka lokal, hotel, dyqanet kanë më shumë punë nga turistët”, – thotë Mehmet Cani, i moshuari që ka punuar për 54 vite si agronom në zonën e Pogradecit.

I moshuari kujton se liqeni ka qenë aq i pastër, sa uji i tij iu shërbente banorëve, jo vetëm për të larë, pastruar, por edhe për konsum.

Kur kam qenë unë fëmijë, e pinim ujin e liqenit, aq i pastër ishte. Para viteve ’90 në Pogradec funksiononte kolektori i ujërave të zeza, ndaj uji i liqenit ishte kristal. Me ndryshimin e sistemit dhe shtimin e ndërtimeve, por edhe me ardhjen e banorëve të rinj, të gjitha kusuret ranë mbi liqen. Në zonat informale inertet hidheshin në lumenj. Liqeni ishte dhe vazhdon të jetë i pambrojtur”, – tregon Cani, që ndër të tjera pohon se ka ende familje që i derdhin ujërat e zeza në lumenj apo direkt në liqen.

Mehmet Cani

Lini, një ndër fshatrat më të njohur, i përfshirë edhe në listën e 100 fshatrave turistikë, e ka ende të pazgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, të cilat banorët i shkarkojnë në liqen.

Fshati Lin

Ne kemi gropë septike. Kur mbushet gropa, e zbrazim me kova, të cilat i derdhim në liqen. Gati 70% e fshatit i derdh ujërat e zeza direkt në liqen, ndërsa pjesa tjetër ka gropa septike, por edhe ato kuptohet që në liqen përfundojnë. ”, – thotë Avni Sulollari.

Sipas tij, banorët e Linit, të vetëdijshëm për këtë situatë, nuk e përdorin liqenin për t’u larë.

Edhe turistët na janë ankuar për erën e keqe që vjen nga liqeni, por ne s’kemi çfarë të bëjmë, sepse bashkia nuk na e ka zgjidhur problemin.”, – shtoi më tej ai.

Bashkia e Pogradecit trajton një pjesë të konsiderueshme të ujërave të përdorura në impiantin e Zagorçanit, i cili u ndërtua vite më parë, duke dhënë zgjidhje për pjesën më të madhe të qytetit të Pogradecit dhe pjesërisht për Buçimasin dhe Zagorçanin.

Problematika mbeti e pazgjidhur për shumicën e njësive administrative. Në fshatrat e njësive administrative Udënisht, Çërravë dhe një pjesë e Buçimasit, që ndodhen brenda zonës së mbrojtur, banorët përdorin ende gropa septike, duke e bërë të pamundur që të shmanget ndotja e liqenit.

Ujërat e zeza, që derdhen në liqen, rritin sasinë e masës organike, e cila kthehet në lëndë ushqyese për specie si algat. Ato marrin oksigjenin dhe zhdukin dhjetëra specie të rralla, mikroorganizma, likenet, myku dhe kërpudhat, çka e varfëron liqenin”, – sqaron eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo.

Përveç banorëve, edhe bizneset, që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, ujërat e zeza i derdhin në gropa septike, duke shkaktuar të njëjtën ndotje.

Ndryshe nga shpjegimi i ekspertëve për dëmet që i shkaktohen liqenit nga përdorimi i gropave septike, Bashkia e Pogradecit e konsideron si një zgjidhje për të shmangur ndotjen e liqenit.

Bizneset, që zhvillojnë aktivitetin nga Pogradeci deri në Tushemisht, janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, kurse në Njësinë Administrative Udënisht kanë gropa septike, por është në proces tenderimi projekti i kanalizimeve për të gjithë fshatrat e kësaj njësie”, – sqaron Bashkia Pogradec në përgjigjen e saj të kërkesës për informacion.

Sipas vendorëve, zgjidhja e kësaj problematike do të vijë me ndërtimin e disa impianteve të përpunimit të ujërave të zeza dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve për çdo fshat, por vetëm për disa prej tyre ka nisur puna.

Si pasojë e mungesës së kanalizimeve, shumë fshatra në afërsi të liqenit i derdhin ujërat e zeza në kanalet që iu kalojnë para shtëpive të tyre, të cilat më pas përfundojnë në lumë.

Janë rreth 40 lumenj dhe përrenj në pjesën shqiptare, që derdhen në liqenin e Ohrit, të cilët sigurojnë rreth 30% të sasisë së ujit që furnizon liqenin.

Lumi i fshatit Çërravë, ku jetojnë rreth 1500 banorë, është mbushur me mbeturina të ndryshme, sidomos mbetje plastike. Pirgje me pleh janë depozituar në të dy anët e lumit nga banorët që kanë shtëpitë afër tij.

Edhe pse në fshat ka konteinerë mbeturinash, banorët kanë gjetur si rrugën më të shkurtër lumin që iu kalon pranë.

Aqif Kapa thotë se, veç mbeturinave, fermerët hedhin në lumë edhe prodhimet e tyre bujqësore, që iu mbeten pa shitur.

“Jemi 400 shtëpi në këtë fshat. Sikur nga një kokërr mollë të hedhim në lumë, e bëjmë magazinë lumin”, – thotë ai.

Lumi i Çërravës

Ky fshat nuk ka kanalizime, çfarë bën që ujërat e zeza të derdhen në lumin e Çerravës dhe më pas në liqen.
Dimër-verë të njëjtin shqetësim kemi. Në sezonin e shirave ujërat e zeza shpërthejnë nga kanalet e fshatit në rrugë dhe mbushin lumin. Taksat ia paguajmë bashkisë, por shërbime nuk marrim. Në dimër, bela nga shirat, në verë mbytemi nga era e keqe”, – thotë Flutur Balliu, banore e Çërravës.

Në krah të djathtë të segmentit që të çon në parkun e Drilonit, degëzohet një rrugë dytësore që të nxjerr në fshatin Zagorçan. Paralelisht me rrugën kalon edhe lumi i fshatit që është i mbushur me mbetje ushqimore, plastike dhe një pjesë të tij kallamishtet po e kthejnë në kënetë.

Lumi i Zagorçanit

Fshati shtrihet në afërsi të impiantit që ka zgjidhur problemin e ujërave të përdorura të qytetit, por në dy lagje të tij përballet me mungesën e kanalizimeve. Edhe këtu banorët kanë nxjerrë në anë të rrugës tubacionet e tualeteve të shtëpive të tyre.

Të ndërgjegjshëm për ndotjen mjedisore që shkaktohet në mjedisin ku ata vetë jetojnë, por edhe në liqen, banorët thonë se nuk kanë asnjë alternativë tjetër.

“Jetojmë në mes të ujërave të zeza, që vetë i derdhim në mes të fshatit, por nuk kemi ku t`i çojmë tjetër. Impianti afër fshatit zgjidhi hallet e qytetit, por jo tonat”, – thotë Vergjinush Çinari, banore e Zagorçanit.

Nga kanali i fshatit ujërat e përdorura përfundojnë në kompleksin ujor të Drilonit, i cili në një pjesë të tij është i mbushur me kallamishte. Sipas ekspertëve, kallamat rriten vetëm në ujëra të ndotura, moçalike dhe prezenca e tyre është një tregues i ndotjes së shkaktuar nga shkarkimi i ujërave të zeza.

“Mbushja e Drilonit me kallama apo ligatina nuk është një dukuri natyrore, – thotë eksperti Qirjo, – por është shkaktuar nga ndotja. Driloni vite më parë nuk ka pasur kallama dhe uji i burimit të tij ka qenë 90% i pastër dhe i pijshëm”.

Përveç rekomandimeve për trajtimin e ujërave të përdorura, UNESCO ka ngritur alarmin, duke i kërkuar palës shqiptare ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e fushës së mbetjeve që ndodhet brenda territorit të zonës së mbrojtur në fshatin Piskupat.

Fusha është e vendosur në skarpatin e rrugës pyjore, e cila bie mbi një përrua natyror, çka bën që ujërat e ndotura të rrjedhin pa kontroll drejt liqenit.

Shqipëria ka vetëm 2 vite kohë për të përmbushur një listë me 32 rekomandime të lëna nga UNESCO, por ruajtja e statusit të liqenit kërkon detyrimisht të njëjtin angazhim edhe nga pala maqedonase, konstatojnë ekspertët.

“Në korrik të këtij viti në sesionin e 44-ët në Kinë, UNESCO i dha mundësinë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që për 2 vjet të rregullojnë mënyrën e konceptimit, ruajtjes dhe menaxhimit të këtij ekosistemi, me qëllim që rajoni i liqenit të Ohrit, si trashëgimi natyrore dhe kulturore, të mos futet në listën e site-ve që janë në rrezik.”, – tregon eksperti Arjan Merolli.

Ai shton më tej se mungesa e kulturës së bashkëpunimit dhe e strategjisë për ruajtjen e liqenit të Ohrit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shihet me rezerva edhe nga UNESCO, duke ngritur shqetësimin se këto problematika mund të bëhen shkak që të dyja vendet të humbin statusin si trashëgimi botërore.

Ministria e Kulturës në përgjigje të kërkesës për informacion në lidhje me atë që është bërë deri tani nga pala shqiptare për të përmbushur rekomandimet e UNESCO-s, sqaron se në korrik të këtij viti, “Komiteti i Trashëgimisë Botërore i ka kërkuar të dy shteteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të përgatisin dhe paraqesin një plan të detajuar, strategjik të rimëkëmbjes, të shoqëruar me një plan-veprimi me afate kohore dhe brenda datës 1 shkurt 2022 të dyja vendet duhet të paraqesin raportin e progresit mbi gjendjen e konservimit të pasurisë botërore dhe zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore”.

Kur na ndajnë më pak se dy muaj nga takimi i 1 shkurtit, nga sa konstatohet në terren, pala shqiptare ka mbetur ende në stadin e hartimit të strategjisë dhe duket qartë se do të ketë shumë pak material për të dorëzuar sa i takon zbatimit të rekomandimeve të UNESCO-s, ku prioritet mbeten problematikat mjedisore. / KultPlus.com

Të ngjajshme