Ndryshon tabela e KFOR-it turk në Reçak: Gjuha shqipe vendoset e para, fshihet serbishtja (FOTO)

1 Gusht, 2018 - 5:02 pm

Tabela informuese që kishte vendosur KFOR-i turk, si investitor i ndërtimit të rrugës nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te Kulla e Lirisë në Shtime, është ndryshuar brenda 24 orësh nga kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, pasi në atë tabelë gjuha shqipe ishte e fundit.

Zyrtari për informim në komunën e Shtimes, Gazmend Ademaj, për Gazetën Express ka thënë se KFOR-i turk si investitor e ka shkruar tabelën në gjuhën e vet dhe se këtë tabelë, kryetari nuk e kishte parë deri në momentin e prerjes së shiritit, e me të parë këtë skandal, ai kishte kërkuar që brenda një afati kohor prej 24 orësh, kjo tabelë të ndërrohet, dhe në vend të gjuhës turke, e para të vendoset gjuha shqipe.

“KFOR-i turk është investitor i kësaj rruge, prandaj edhe tabelën e ka bërë në gjuhën e vet. Kryetari nuk e ka parë tabelën, deri në momentin e përurimit, mirëpo, pasi e ka parë, ka kërkuar që ajo tabelë të ndërrohet, dhe ky përmirësim është bërë brenda 24 orësh”, ka thënë Ademaj për Express.

Kjo tabelë, menjëherë pas vendosjes, kishte bërë bujë të madhe, pasi i ishte dhënë prioritet gjuhës turke, serbe dhe asaj angleze, para asaj shqipe, madje, gjuha serbe ishte renditur e dyta në këtë tabelë.

Ndërsa, në tabelën e re të dërguar për Gazetën Express nga zyra e kryetarit, gjuha shqipe renditet e para, duke vijuar me gjuhën turke dhe angleze, ndërsa gjuha serbe nuk figuron fare në tabelën e re. /KultPlus.com

Të ngjajshme