Në botën e Lala Meredith Vula: Fotografja e kashtës shqiptare dhe pajtimit të gjaqeve

3 Dhjetor, 2020 - 8:23 pm

Arbër Selmani

“Nëna ime është angleze, sot 79 vjeçare. Në vitet 60-të të shekullit të kaluar, ajo studionte në Angli dhe bashkë me një shoqe të sajën vendosën që të jetonin për një kohë në Beograd, për të studiuar gjuhën serbokroate. Ishin të çmendura pas mësimit e studimit të gjuhëve. Në mes të Spanjës dhe Jugosllavisë, e zgjodhën këtë të dytën për të vazhduar jetën. Në moshën 22 vjeçare, këto dy vajza të reja po jetonin në Beograd, ato shëtitnin gjithandej nëpër Jugosllavi, ishin avanturiere dhe të interesuara për ta zbuluar botën. Në një udhëtim në Mal të Zi, shkuan në një vend afër detit dhe nëna ime rastësisht takohet me një djalë nga Kosova, i cili po bënte pushimet me motrën e tij, Rabinë. Nëna ime u fascionua prej faktit që një motër e vëlla ishin bashkë me pushime, në vitin 1964. Pas pak kohësh, nëna ime u martua me këtë djalë, Rexhep Vulën, babain tim”.

Ky është një pasazh i përgjigjjes që e marr nga Lala Meredith Vula kur e pyes për familjen e saj dhe për trungun kaq multikulturor të kësaj familjeje.

Lala në vitin 1972, fotografuar nga Tina Hall – profesoreshë arti / https://www.lalameredithvula.com/

Fillimisht, të tregojmë se Lala Meredith Vula është një prej artisteve nga Kosova më me famë në botën e artit pamor në Evropë, dhe tej Evropës sonë simpatike. Lala është një fotografe e cila ka përçuar emocion e ndjesi nga shqiptarët, drejt botës. Fotografitë që ajo i ka realizuar në Kosovë e Shqipëri janë bërë pjesë e ekspozitave dhe projekteve të ndryshme me plot rëndësi, në galeritë dhe në hapësirat ekspozuese më me vlerë në disa kontinente.

Ajo është shqiptare, dhe ‘Unë jam shqiptare’ ishte ndoshta e para fjali shqipe që e tha Lala Meredith Vula. Meredith është marrë nga mbiemri i nënës, ndërsa Vula vjen nga mbiemri i të atit.

*

“Babai im po studionte aktrimin, bashkë me Bekim Fehmiun. Ai thoshte gjithmonë që do të mund të bëhej një aktor i mirë. Më vonë ai nisi të studionte diçka tjetër, arkitekturën, dhe po specializonte në arkitekturën otomane. Meqë nuk kishte universitet në Prishtinë, shkoi të vijonte studimet në Beograd. Nëna ime, Sandra Meredith, po atë kohë ishte në Beograd, kishte fituar disa bursa të rëndësishme dhe po studionte diçka rreth poezisë dhe kulturës serbe. Pasi u njoftuan, gjithçka po shkonte mirë midis tyre, dhe ata vendosën të shkonin në Sarajevë. Atje u martuan, ndërsa unë linda në vitin 1966. Nëna gjeti punë lehtësisht sepse e dinte latinishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, e mësoi edhe serbokroatishten, dhe u punësua në bankë, si përkthyese”, vazhdon e më tregon Lala.

Lala me babain dhe nënën, Sarajevë 1967

Vite e para të jetës, Lala do t’i kalonte në Sarajevë, ndërsa tek në moshën 5 vjeçare ajo shkoi me nënën e saj në Angli. Lalës nuk i kujtohet shumë kjo periudhë por thotë se ka folur shumë pak boshnjakisht, meqë më vonë jeta do të vazhdonte në pjesë të tjera, e dramat familjare do ta krijonin efektin e tyre.

Sarajevë, 1966

“Babai im është me origjinë nga Gjakova. Në vitet 60-të e 70-të nuk kishte shumë mundësi udhëtimi, atëherë të udhëtoje ishte diçka e jashtëzakonshme. Meqë tash po jetonim në Angli, me nënën, kam udhëtuar nëpër Angli dhe kemi lëvizur në vende të ndryshme, kam vizituar shumë peisazhe e shumë pjesë. Në vitin 1970, një vit para se të shkoja me nënën në Angli, prindërit u divorcuan. Unë në Jugosllavi më pas nuk kam shku deri kur isha 16 vjeçe. Gjithmonë kam mendu që jam jugosllave, por nëna më tregonte që jam shqiptare. Jugosllavinë e kam përkrahë gjithmonë kur shikojsha futboll në televizor, e dija kush është Tito dhe disa gjëra tjera. E dija që kisha një lidhje me shqiptarët” rrëfen Lala Meredith Vula.

*

Lala Meredith Vula qysh e re donte të bëhej artiste, veçse ishte problem të kanalizohej talenti dhe dëshira në një fushë të artit. Janë të njohura sidomos fotografitë e Lalës ku i shohim mullarët e barit me kashtë, në Kosovë e në Shqpëri.

Ndër vite, Lala, shqiptarja jonë dhe një prej krenarive që i kemi të shpërndara nëpër botë, fitoi disa çmime të rëndësishme të cilat e konfirmojnë madhështinë e fotografive të saj. Në vitin 1998 ajo merr çmim në Festivalin e Fotografisë PhotoSynkria në Greqi, dhe po të njëjtin vit edhe çmimin ‘Flash Art’ nga Galeria e Arteve në Shqipëri. Në vitin 2001 ajo morri bursën Sargent Felloëship, në Romë të Italisë, ndërsa në Kosovë ka marrë një çmim që i është ndarë nga Fondacioni Soros.

‘Women and Water’ – nga Lala Meredith Vula / https://www.lalameredithvula.com/

Lala është artiste e kompletuar. Puna e saj artistike është ekspozuar në Angli, në Gjermani, Itali, Amerikë, Sllovaki, Holandë, Kinë e Tajvan. Së fundmi, në vitin 2020, Lalën e pamë me artin e saj edhe në Portugali.

Do ta gjeni shumë lehtë vulën e Lalës në fotografitë e saj, sepse ato secila kanë një tregim që Lala me apo pa vetëdije e ka nxjerrë në pah, dhe atë pa asnjë fjalë. Lala jo të rralla i ka pasur ekspozitat edhe në Kosovë, dhe në mes të komunitetit artistik por edhe atyre që kanë shije dhe oreks për të hulumtuar botën e fotografisë, Lala Meredith Vula është e respektuar dhe e vlerësuar denjësisht. Lala e Kosovës, por në Kosovë gati gjithmonë vinte vetëm kur diçka e tmerrshme kish ndodhur a do të ndodhte. Në vitin 1988, shembull, Lala vjen në Kosovë bash në ditën kur minatorët e nisin grevën e tyre në Trepçë.

“Në një mënyrë ajo ishte dita kur nisi fillimi i fundit të Jugosllavisë, dhe unë qëllova në Kosovë. Sllobodani veç sa e kishte ndërru Kushtetutën, sllovenët ende nuk kishin dalë prej Jugosllavisë. Një shfaqje sikur po i hapte perdet”.

*

“Babai ka ardhë në Angli disa herë, kur isha diku 5-6 vjeçe, më pas edhe në moshën 8 vjeçare. Në moshën e rritur, për herë të parë e takova kur isha 16 vjeçe, dhe meqë ai nuk dinte hiç anglisht, kjo më bëri që unë të provoja ta mësoja gjuhën shqipe. Prej Anglisë morra rrugë pë në Zagreb, dhe e morra trenin për në Sarajevë pastaj, ku do të takohesha paraprakisht me disa familjarë të mi, që më pas të gjithë të shkonim në Ulqin. Në këtë tren për Sarajevë, e takoj dikë dhe në bisedë e sipër i tregoj që babai im është Rexhep Vula. Qëlloj në një shqiptar. Ai e nxjerrë flamurin shqiptar dhe më propozon që unë ta mësoj frazën ‘Unë jam shqiptare’. Këtu nisa t’i forcoja lidhjet e mia me gjuhën shqipe dhe shqiptarët. Shkoj në Ulqin, dhe në plazh prapë e takoj një shqiptar tjetër dhe kësisoj tanimë isha e gatshme t’i tregoj babait tim se jam shqiptare. Kur e takova babain, dhe krejt familjarët tjerë, në Ulqin ashtu të bashkuar, u kënaqën kur më dëgjuan duke thënë ‘Unë jam shqiptare’. Dukej si një performancë, meqë unë nuk e dija as shqipen e as serbokroatishten tanimë, vetëm anglishten, gjuhën time të parë. Kjo fjali i bënte të gjithë të lumtur, erdhën edhe fqinjët dhe të gjithë të më dëgjonin duke u shprehur ashtu. Më vonë, me fëmijët tjerë nisim ta vizatonim trungun familjar dhe e kuptuam që në fakt të gjithë jemi të lidhur, ishim një familje e madhe e bashkuar në Ulqin” tregon në detaje Lala.

Lala më tregon për ndjenjën shpesh të habisë dhe hezitimit derisa po rritej në Angli. Ishte shqiptare edhe atë kohë, por ja që nuk e dinte. Në këtë vend tjetër, Lala do të rritej sikur në pluhurosje, sikur në një zymtësi, meqë dukshëm ishte një fëmijë më ndryshe se të tjerët. Vështirë kur nuk e gjen veten të përshtatshme për asnjë kuti që e servon shoqëria e rrethi.

“Si e vogël kam qenë shumë e mirë në vizatim. Nuk e dija gjuhën angleze por e dija vizatimin, dhe isha e vetëdijshme që kjo mënyrë më ndihmonte me e shprehë veten. Ishte lënda shkollore që më pëlqente më së shumti. Më vonë u regjistrova në kolegjin më të mirë për art, në Goldsmiths College në Londër, dhe kur e studion artin, është më serioze qasja. Duke e studiuar, e pashë që fotografia ishte mediumi më i mirë për t’i kapur momentet, gjithmonë kam dashtë me realizu fotografi që inspirojnë njerëzit, që njerëzit të stepen kur t’i shohin këto materiale. E doja fotografinë reale, të vërtetën, jo vizatimin. Pa marrë parasysh a është seri e fotografive apo vetëm një fotografi, dua që njerëzit t’i shohin punët e mia dhe të kenë interesim për to. Më inspiron jeta përreth meje, gjithçka. Më pëlqen forma njerëzore. Secili artist prej Mikelanxhelos e deri te Leonardo Da Vinçi e ka studiuar nudon. Prej skulpturave romake, trupi është shikuar nga poshtë dhe është hyjnizuar. I dua më shumë momentet organike, natyrale, nuk më pëlqen mënyra mekanike” vazhdon rrëfimin e saj Lala.

Dhe pikërisht mbështetur në këtë pasion, Lala Meredith Vula nisi ekspeditat e saj të mrekullishme për të realizuar fotografitë që do të mbesin përgjithmonë si dëshmi e jetesës shqiptare nëpër vite.

Ajo fotografoi në një periudhë kohore prej dy vitesh, gratë në banjot turke – hamamet në Shqipëri.

Projekt tjetër i Lalës është edhe ‘Gratë dhe uji’. Shkrepjet kanë të bëjnë me bukurinë dhe papërsosmërinë e trupit të lirë nën ujë. Shumë gra, të cilat sidomos në Perëndim tregojnë se janë deformuar prej ndikimeve të shoqërisë, në ujë janë të lira të treten dhe të shfaqen sërish si pjesë e natyrës, ekspresive e klasike.

Cikli ‘Travellers’ i jep dritë njerëzve në hapësira arkitekturore, ndërsa një film i shkurtër i realiuar nga ajo, që ta rrënqethë trupin, është ‘Are you Everybody’ (A jeni në numër, A jeni të gjithë numër), kjo si shprehje e cila përdorej prej kosovarëve pas përfundimit të luftës, si tentim për të kuptuar nëse familja është e kompletuar apo ka humbur dikë gjatë muajve kur serbët vritnin të pafajshmit. Filmi u dha në Kosovë, Zelandë, në Amerikë, në Manchester, Edinburg e Belfast.

Me mullarët e barit dhe kashtën e katundit, Lala do të dashurohej përgjatë kohës sa jetoi në Kosovë, ndërsa të tilla do të fotografonte gjithandej nëpër Evropën Lindore.

“Në vitet 1988, 1989 dhe 1990 kam udhëtu nëpër Kosovë, sepse erdha të jetoj këtu. I kërkoja vazhdimisht këta mullarët e barit me kashtë, doja me i fotografu. I takoja çobanët, flisnim por jo shumë sepse shqipja ime ishte e dobët. Më ndihmonte shpesh babai, në komunikim. Më pas nisa të fotografoja edhe kullat, meqë babai merrej me mbrojtjen e monumenteve në Kosovë. Kam një arkivë të mrekullueshme të kullave nëpër krejt Kosovën, të cilat më vonë janë shkatërruar, ose kanë pësuar prej luftës, ose kanë mbetur ashtu sepse kërkohet shumë punë për t’i ri-adaptuar. Në vitin 1988 në Kosovë ka pasur qindra kulla të bukura, dukeshin si kështjella, kam qenë e mahnitur prej tyre” tregon Lala.

“Me babain kam qenë shumë e lidhur, kur vinte puna te arti. Ai nuk e kuptonte shumë projektin tim me kashtë, në fillim, habitej pse kam zgjedhur një element kaq specifik kur kisha mundësi të zgjerohesha në horizontin e punëve të mia. Kishte të drejtë. E kur nisa me i printu dhe me i zhvillu fotografitë, u kënaq dhe më tha se krejt ky projekt meritonte të kthehej në një ekspozitë. Dhe ekspozita u bë, diku rreth vitit 1990, në Bororamiz. Anton Çetta dhe Adem Demaçi e kanë vizituar ekspozitën, Demaçi veç sa ishte liruar prej burgu” më tregon Lala.

Lala është në përgatitje të një libri me fotografitë e kësaj serie

Shkaku i pandemisë, dhe meqë Lala jeton në Angli, shihemi me të vetëm virtualisht, por duke prekur mbi etapa të ndryshme të jetës, pa pasur mundësi të ulemi afër e të përjetojmë energjinë e trupave kur ata flasin të vërtetat dhe ngadhnjimet e triumfet, zhgënjimet dhe ankthet e së kaluarës.

Anton Çettën, Lala e ka takuar personalisht, në kohën kur ajo po fotografonte pajtimin e gjaqeve. Krejt në fillim, në pajtimet e para, Lala ishte në Kosovë dhe pa pasur haber, ajo po e dokumentonte një prej kthesave më të mëdha në mesin e shqiptarëve të hasmëruar e të mbytur në gjak mes vete.

Pajtimi i Gjaqeve / https://www.lalameredithvula.com/
Pajtimi i Gjaqeve / https://www.lalameredithvula.com/

“Sot, duke shikuar prapa në atë kohë, e kuptoj sa brilant ishte ky njeri. E kam përcjellë edhe procesin e pajtimit. Ai vinte në fund, sepse organizatorët dhe më të moshuarit e katundit por edhe tërë të angazhuarit bënin punën e tyre. Ai vinte dhe provonte me i mbushë mendjen atyre që nuk pajtoheshin. Para tij, të gjithëve u ndalej fryma. Largoheshin më pas si grup dhe kur ktheheshin, tregohej vendimi, që gjaku u fal. Zemra kapërcente ndonjë rrahje. Në vitin 1992 e kam bindur BBC që të bëhej një dokumentar rreth pajtimit të gjaqeve. Më pas e solla ekipin dhe e realizuam ‘Forgiving the Blood’ – dokumentar ky që u dha në Dokufest vitin 2019-të, ku kishte të pranishëm edhe nga ata që ishin pjesë e dokumentarit. Kishte ende gjakmarrje në vitet 1992-1993, por shumë më pak” tregon Lala.

*

Nga familja, te arti, nga arti, te familja. Lala është artiste, kështu edhe e quan veten, dhe thotë se ka kërcyer prej ekspozitës në ekspozitë shpesh pa e kuptuar sa e lëvruar është në këtë profesion. Në tregimin e saj, ajo e hap veten dhe shpaloset se kur ishte e re, ishte modeste, më e turpshme, më e fshehur. Derisa po rritej, ajo thotë se shumë njerëz ishin ‘full of themselves’ (apo në shqip, kur mendon se bota sillet rreth teje, kur je superior ndaj të tjerëve), dhe ajo nuk ishte konstrukt i tillë. Modestia i ka ndihmuar të jetë e suksesshme në art, por edhe të kthehet lehtazi në rrënjët e saj shqiptare.

“Babai më thoshte që jam shumë modeste, që nuk e kam ditur sa e mirë jam në punën që e bëj. Ishte dashtë ta mbroja veten më shumë, ishte dashtë me qenë më e çiltër, më e treguar para syve të botës. E kam ditë që kam talent por asnjëherë nuk kam mendu që jam zbulu. Kam pasur besim në vete, sepse veç vetes duhet t’i besosh në mënyrë që të arrish diçka”.

Maj 1989, Lala dhe babai i saj

Prindërit e saj u divorcuan kur ajo ishte shumë e vogël, dhe kjo ndarje do ta përplaste më pas Lalën në disa vende. Ajo buzëqeshë sepse ndikimet i kanë ardhur nga të gjitha anët: një nënë poliglote angleze, një baba kosovar arkitekt, dhe ajo vetë një vajzë shpesh me krizë identiteti duke u rritur në mes të krejt kësaj yllësie prindërore të larmishme.

“Nëna ime nuk ma mësoi serbokroatishten, unë nisa me e harru më pas edhe gjuhën boshnjake. Ndoshta, nëse ajo do të tentonte më shumë, do t’i dija këto gjuhë. Divorci nuk ka ndikuar atëherë, por tash në retrospektivë, i shoh gjërat ndryshe dhe besoj se ai divorc ka pasur një rol, por e kam të vështirë ta rrumbullakësoj ku saktësisht. Tash që kam vet një djalë, 16 vjeçar, e kuptoj sa të ndjeshëm janë. Nëna ime nuk më ka penguar asnjëherë në punë, por as babai. Babai u martua prapë, dhe unë i kam edhe katër motra nga ana e tij. Babai ka qenë kreu i urbanizimit në Kosovë në vitet 80-të, por më dhimbset sepse nuk doli asnjëherë në pah. Po të jetonte, shembull në Barcelonë, do të ishte arkitekt me nam. Atë e dëmtoi shumë regjimi i Millosheviqit” vazhdon tutje fontana e jetës së Lalës.

Kur lufta shpërtheu në Kosovë, Lala ishte në Angli por me vete kishte edhe dy prej katër motrave të saj prej babait.

“Në vitin 1992 veç i morra dy prej motrave, më të rriturat, ndërsa pjesa tjetër e familjes mbeti e ngujuar në Kosovë gjatë bombardimeve. Ishin kohëra të frikshme sepse edhe me ekipe televizive ishte e rrezikshme ta vizitoje Kosovën. Unë kam qenë në Kosovë kur ndodhën mizoritë në Prekaz, por kam qenë edhe në kohën kur Sllobodani u dorëzua, kam shku në Kosovë me trupat e NATO-s dhe me Kryqin e Kuq Britanik me të cilët kam ndihmuar, dhe kam fotografuar. Derisa po vriteshin njerëzit në Kosovë dhe kishte luftë, kam qenë edhe pjesë e një proteste në Londër ku kërkohej të intervenohej në Kosovë, ishte një formë për t’i informuar njerëzit e botës se çka po ndodhte. Shumica e dinin megjithatë, meqë Srebrenica nuk ndodhi edhe shumë kohë më parë. Përgjatë tri viteve që kam jetuar në Kosovë, kam qenë edhe vet pjesëmarrëse e plot demonstratave” rrëfen Lala.

*

“Babai vdiq në vitin 2015, në Prishtinë. Gjatë luftës thoshte – Askujt nuk i intereson jeta e një burri të vjetër. Në fakt, plot burra u vranë gjatë luftës, edhe të moshuar, por kështu thoshte ai. Vija më shpesh në Kosovë për tu kujdesur për të, ndërsa me vdekjen e tij më është larguar kjo ngutia për tu kthyer në Kosovë. Tërë jetën time e kam lënë anash çdo angazhim edhe e kam pranuar çdo arsyetim për të qenë në Kosovë ose Shqipëri” tregon fotografja shqiptare Lala Meredith Vula.

Lala Meredith jeton në Angli, është profesoreshë e artit dhe fotografisë në De Montfort University. Shqipen e flet pak, por e kupton shumë.

“Nëna ime ka qenë mësuese, prandaj këtë gjenin e mësuesisë e kam prej saj. Megjithatë nuk e kam trashëguar prej saj aftësinë e mësimit të gjuhëve, meqë ajo është linguiste dhe kur flet në serbokroatisht njerëzit habiten, nuk besojnë. Ajo më shumë e zë një botë verbale, unë më shumë një botë vizuale. Nëna nisi ta mësonte edhe gjuhën shqipe, bile e gjeti edhe një punë në Prizren si përkthyese, por ndodhi divorci dhe nuk e nisi asnjëherë punën. Ndërsa mua më pëlqejnë studentët e mi, dhe e dua shumë transmetimin e njohurisë prej meje tek ata dhe anasjelltas” më tregon Lala.

Lala Meredith Vula e ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e 48-të të Venecias, në vitin 1999.

Lala është mrekullisht artiste e disa mediumeve. Me anë të fotografive, por edhe me anë të filmave dokumentarë dhe performancave të ndryshme, ajo ka derdhur në publik kritikën e saj, revoltën e hijshme.

Lala ka qenë edhe pjesë e ekspozitës ‘Freeze’ udhëhequr nga Damien Hirst, ku disa artistë të rinj po ekspozonin në një ndërtesë bosh në stacionin e vjetër të zjarrit në Londër. Grupi më vonë do të njihej edhe si Youth British Artists – Artistët e Rinj Britanik.

Lala ekzaltohet me mendimin se së shpejti do të mund të ekspozojë në Kosovë, dhe neve na pritet ta presim me çka do të na rrëmbejë herën e ardhshme.

Fotografitë e saj sot jetojnë në plot hapësira e koleksione ekspozuese: Arts Council of Britain, Arthur Andersen Collection, Centre of Photography në Gjenevë, Collezione La Gaia, Doria Pamphilj Gallery Collection, Doria Pamphilj Palace Museum, The Teseco Foundation, The British Council Collection.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të fundit

Të ngjajshme