Në Festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan’ shpalosen eksperiencat e luftës dhe raportet sot mes Kosovës e Serbisë

31 Maj, 2018 - 6:43 pm

Gili Hoxhaj

Edicioni i pestë i Festivalit “Mirëdita, dobar dan” tashmë po vazhdon ditën e dytë të aktiviteteve.

Sot në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, u hap diskutimi i cili në fokus kishte pyetjen “Kosova-Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”. Pyetja është relevante sidomos me vështirësitë në të cilat kaloi dita e parë e festivalit, ku radikalët e Serbisë bënë zhurmën e tyre dhe gati e ndaluan mbarëvajtjen e festivalit.
Në diskutimin e moderuar nga Idro Seferi, panelistët e diskutimi ishin aktivistja nga Serbia- Jovana Prusina, Emel Ajdini nga Integra, Bojan Elek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë dhe Eraldin Fazliu nga Kosovo 2.0. Në këtë diskutim u fol mbi të kaluarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetizimit mes dy shoqërive. Si i tillë festivali përshkohet nga një proces dinamik i afrimit të dy shteteve me njëra-tjetrën.

Folësit e këtij paneli treguan kujtimet e tyre në luftën e vitit 1999 dhe shumica prej tyre e kanë përjetuar fëmijërinë e tyre gjatë kësaj kohe. Emel Ajdini kujtoi se kishte qenë vetëm 9 vjeç kur së bashku me familjen e saj prej 5 anëtarëve ishin larguar për Maqedoni, aty ku në kufi i kanë ndarë gratë dhe burrat, e ndërkohë kishin përjetuar frikën më të madhe pa ditur se cfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

“Në kufi na kanë thënë policët se burrat nuk kanë të drejtë të kalojnë kufirin, ne nuk e kemi ditur se cfarë po ndodhë me babain dhe dajtë tonë dhe pas dy muajve kemi rënë në kontakt me ta dhe e kemi marrë vesh se janë gjallë”, u shpreh Emel Ajdini sot gjatë diskutimit.

Në pyetjen se si e sheh raportin mes Kosovës dhe Serbisë ajo tha se duke qenë pjesë e organizatës Integra, Festivali “Mirëdita, dobar dan” është platforma që i ndesh dy realitete duke e bërë të vërtetën me sy qelq.

“Në anën tjetër i dijmë propagandat që na shpërlajnë trurin në të dy anët e kufinjve. Shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Serbisë mund të vijnë dhe t’i shkëmbejnë idetë e tyre”, tregoi Ajdini.

Në pyetjen se si i shohin njerëzit e Prishtinës ata të Beogradit, ajo tha se asnjëherë nuk ka arritur ta sjellë shoqërinë e saj në Beograd ndërsa për herë të parë para tri viteve një shoqe nga Beogradi ka ardhur në Kosovë.
“Kjo është histori suksesei. Të rinjtë e kanë një frikë për shkak të asaj që shohin në televizion dhe për shkak të së kaluarës së dhunshme që e kemi pasur, pra nuk është e lehtë për asnjërën anë por përmes disa platformave të rinjtë kanë mundësi që të njihen dhe të komunikojnë”, tha tutje Ajdini.

Ndërsa aktivistja nga Serbia, Jovana Prusina, u shpreh se nuk është problem të vish në Prishtinë, problem më i madh është kur kthehesh.
“Ti mund të shkosh në Prishtinë dhe të kthehesh, dallimi qëndron në atë se kur ti shkon në Barcelonë të pyesin se si kalove dhe ti u thua mirë kurse kur shkon në Prishtinë dhe kthehesh dhe duhet të ndash ndjenjat tua me mjedisin tënd, nuk flasin më me ty ose të thonë se çfarë kërkove në mesin e tyre”, u shpreh Prusina.

Edhe Jovana Prusina kishte qenë fëmijë në kohën kur ndodhën bombardimet e NATO-s ndërsa gjatë diskutimit tha se iu desh shumë kohë që të rritet dhe ta kuptojë se pse ndodhën bombardimet.

Tutje Prusina tha se është tejet e rëndësishme që të rinjtë të njihen me kontekstin e asaj çfarë ka ndodhur.
“Gjithmonë përpiqemi të flasim për çështjen tradicionale dhe luftën, është e rëndësishme që të rinjtë ti dijnë pasojat e luftës. Kur flasim për ballafaqimin me të kaluarën, çfarë kanë kaluar njerëzit, duhet të flitet me të rinjtë pasi që kjo është e vetmja mënyrë qe të dihet e vërteta”, tha tutje Prusina.

Eraldin Fazliu nga Kosovo 2.0 kishte qenë vetëm 10 vjeç kur ka ndodhur lufta në Kosovë. Ai tha se vjen nga Ferizaj, nga një vend që nuk është edhe shumë larg Reçakut. Gjatë pranverës së vitit 1999, ai shprehet se përveç frikës kanë ndjerë dhe mungesën e ushqimit, derisa kishin kaluar në Maqedoni, atje ku si fëmijë ishin ndjerë më të lehtësuar.
“Kur kemi arritur në Maqedoni e kemi parë një shi që s’pushonte dhe ishte e vështirë ta dinim nëse njerzit qanin apo shiu binte mbi trupat e tyre. Pastaj fillon një jetë më e lehtë për neve si fëmijë pasi nuk ndjenim frikë dhe kishim ushqim. Si dhjetë vjeçar e takoje shokun e klasës në kampin ku ishin mijëra të shpërngulur dhe problemi i vetëm ishte vështirësia ti gjenim tendat tona pasi ktheheshim prej lojës. Në fillim të qershorit jemi shpërngulur në Danimarkë në vitin 2000 dhe jemi kthyer në Kosovë dhe nga viti 2015 jam bërë pjesë e Kosovo 2.0”, tregoi Fazliu.

Ai tha se është i tmerrshëm fakti se si askush nuk merret me 1600 persona që ende figurojnë të zhdukur.
“Këtë javë kam takuar familjet e të pagjeturve dhe ata janë të mllefosur si se institucionet e Kosovës dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare nuk angazhohen më shumë për këta persona. Ka shumë hipokrizi në atë se çfarë ka ndodhur në raportet tona dhe mendoj se edhe ne si qytetarë jemi përgjegjës dhe nganjëherë e kemi shumë lehtë ta drejtojmë gishtin kah politika por pyetja kryesore është kush i voton këta njerëz që na përfaqësojnë”, u shpreh Fazliu.

Bojan Elek nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë është lindur në Mitrovicën e Veriut, atje ku edhe ka përjetuar kohën e bombardimeve. Ai tha se ka lindur në vitin 1987 kurse datëlindjen e 12-të e kishte pritur pikërisht mes bombarimesh, e nënës i kishte kërkuar tortën me mbishkrimin target.

“Unë kam lindur në vitin 87 dhe jam më i vjetri në këtë panel dhe ditëlindjen e 12-të e kam fesuar gjatë bombardimeve. Duke qenë se nënën e kam mjeke , babai ishte mobilizuar dhe dhjetë ditë i kemi kaluar në Kosovës e pastaj jemi zhvendosur për në në Rudnicë. Unë nuk e kam ditur çfarë po ndodhë për ditëlindjen time, i kam kërkuar nënës të ma bënte një tortë me emrin target. E mbaj mend që shokët gëzoheshin kur nuk shkonin në shkollë. Kur jam zhvendosur këtu e kam kuptuar se çfarë ka ndodhur pas atëherë kemi pasur shumë pak informacione, kemi pasur vetëm një kanal që bënte propagandë”, tregoi ai.

82 % e serbëve nuk kanë qenë në Kosovë edhe pse Kosova mbetet tema kyçe e Serbisë, sipas një raporti nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.
“Këto hulumtime nuk kanë qenë shumë surprizuese. Shumica janë për vazhdimin e dialogut ndërsa 84% nuk janë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës edhe nëse vendoset si kusht futja në Bashkimin Evropian”, tregoi Elek.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan” do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com

Të ngjajshme