Në pritje të UNESCO-s, si ruhen pasuritë e rralla shqiptare

11 Gusht, 2022 - 3:02 pm

Si një nga strategjitë mburojë për trashëgiminë kulturore me objektet si dhe dukuritë e saj të rralla, Ministria e Kulturës planifikoi Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore. Ndërsa sot flitet për përpjekjet e njohjes së katër dukurive si Kcimi i Tropojës’, Eposi i Kreshnikëve, Xhubleta e Transhumanca, si Pasuri Botërore e Njerëzimit në UNESCO, zëvendësministrja e Kulturës shpjegon nëse janë evidentuar dukuritë që janë në rrezik më të madh zhdukjeje në vend.

Realizimi i regjistrit Kombëtar të trashëgimisë na ka dhënë të gjithë mundësinë që t’i evidentojmë këto dukuri duke qenë se u bë një punë shumë e madhe në terren dhe siç u thashë ishte një punë gjithëpërfshirëse, pra pati edhe pjesëmarrje studentësh. Në të gjitha nivelet që afekton fjala komunitet dhe bartës. Kështu që nga dukuritë që kemi dorëzuar në UNESCO, xhubleta është përzgjedhur si dukuri në rrezik dhe kemi aplikuar bashkë me një plan masash që njihet me emërtimin ndërkombëtar ‘Save Garding Plan’, për ta pasur, për ta ngritur atë dhe për të qenë një dukuri që të vazhdojë transmetimin”, thotë zëvendësministrja e Kulturës Meri Kumbe.

Xhubleta mbijeton prej së paku 4 mijë vjetësh, e gjurmët e saj gjenden ende në zonat e Malësisë së Shkodrës, deri në Mal të Zi e përreth Bjeshkëve të Namuna. Kumbe, rrëfen se cilat janë vështirësitë për ta mbajtur gjallë këtë dukuri.

Është një sfidë shumë e madhe globale, sepse vetë zhvillimi i shoqërisë njerëzore, vetë lëvizjet dialektike të popullatës qoftë në migrim të brendshëm apo të jashtëm, shpesh herë cenojnë elementë të caktuar të trashëgimisë jomateriale Padyshim roli i shtetit në politikbërje për të krijuar terrenin komod për ta mirëmbajtur është domethënës por nga ana tjetër duhet patjetër vullneti i anëtarëve të komunitetit”, shton më tej Kumbe.

Xhubleta është dosja e parë që është futur në proces për t’u pranuar në UNESCO (marsin e kaluar). Pasi ka kaluar fazën e parë të kontrollit administrativ, siç tregon Kumbe, pritet që në dhjetorë të kalojë komiteti të marrë një vendim. Dukuria tjetër ndërkombëtare për të cilën ministria e Kulturës shpjegon se ka marrë një sërë masash për ruajtjen e zhvillimin e saj, është Transhumanca, pra Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”, të cilën si dosje ndërkombëtare (të dorëzuar këtë mars) UNESCO e ka parë me prioritet.

Pa regjistrim pasuritë kulturore nuk shkojnë në UNESCO

Zëvendësministrja e Kulturës, Meri Kumbe shpjegon rëndësinë e regjistrimit të pasurive kulturore për të aplikuar e më pas për t’u pranuar në UNESCO.

“Regjistri i trashëgimisë kulturore jomateriale, është ky një proces që po zhvillohet me fondet e UNESCO-s, nga fondi i ndihmës ndërkombëtare. Është kriter bazë për të vajtur tek aplikimi i dosjeve. Pra, nëse ne nuk kemi një kartelë të regjistruar në institutin tonë, këtu të regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, nuk mund të vazhdohet më tej. Është kërkuar që ky regjistër të bëhet sërish me bazë komunitetin. Jemi në përfundim të këtij projekti. Ka qenë një projekt madhor, që ka zgjatur më shumë se dy vite, kjo edhe për faj të pandemisë, krijoi vonesa dhe tek ne sepse e gjithë puna zhvillohet në terren. Ne kemi aplikuar në 3 qarqe pilot, Shkodër Korçë dhe Gjirokastër. Kemi parashikuar të regjistrohen 90 elementë, përkatësisht nga 30 për çdo zonë si një projekt pilot. Kemi ndërtuar tani më kartelën e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe e kemi miratuar atë në Këshillin Kombëtar sipas standardeve të UNESCO-s”, shpjegon më tej zëvendministrja.

Dosjet për në UNESCO dhe puna në terren, kush është përfshirë

Zëvendësministrja e Kulturës, tregon se në dosjet e aplikimit për në UNESCO, ka pasur përfaqësi në të gjitha nivelet. “Janë përfshirë që ë nga komuniteti anëtar bartës të dukurive të caktuara.  Po ashtu pjesëmarrës në proces është pushteti vendor, drejtori rajonale të kulturës, kemi përzgjedhur përfaqësues të bashkive dhe të institucioneve shkencore. Kryesisht përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe të universiteteve. Këtu kemi pasur mundësinë të trajnojmë studiues të rinj ose profesionistë të rinj, kemi atashuar pranë grupit të punës një ekspert ndërkombëtar UNESCO për të bërë të mundur realizimin e të gjitha hallkave sikurse ato kërkohen nga UNESCO. Njëkohësisht e kemi parë këtë proces si një proces trajnimi të stafeve të reja sepse aplikimi për në UNESCO është një procedurë e komplikuar administrative, nuk është kollaj. Përkundrazi janë procese të vështira, kërkojnë një nivel anglishteje shumë të elaboruar, në nivele shumë të mira dhe të përzgjedhura profesionale”, thotë Kumbe.

Tradita e prodhimit të xhubletave

Sipas etnografëve, tradita e prodhimit të xhubletave zbehet që në vitet 1920-1930, ndaj një shekull më pas jemi përballë një rreziku zhdukjeje dhe Dosja e Xhubletës është dorëzuar pranë UNESCO-s si një dukuri në rrezik. Ndonëse nuk i përkasin vetëm trashëgimisë vendase, xhubletat shqiptare janë unike në ndërtimin e tyre,  në harmonizimin e një sërë elementësh si këmisha, kraholi, mëngëza, grykëza, kërdhokla, shoka (brezi), pështjellakët një që vihej para e një që vihet pas, jeleku, çorapet, opingat dhe stolitë metalike si vathët, unazat prej sermi, gjerdani me pllakë dhe brezi me zinxhirët për të mbajtur mjetet, çantat etj./ Shqiptajra.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme