Në Prizren ‘FEMaktiv’ për 8 Mars marshojnë për barazi

7 Mars, 2019 - 1:00 pm

8 Marsi në vargun e festave kalendarike shënon ditën ndërkombëtare të gruas. Kjo datë është personifikimi i luftës së grave (fillimisht) në New York për barazi në vitin 1909. Më shumë se njëqind vjet më vonë, lufta e grave për më shumë të drejta si dhe mizogjinia në rritje ka transformuar ditën e përkujtimit të sakrificave të grave në thirrje për protestë.

Një grup joformal i grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit, për ditën ndërkombëtare të gruas, 8 marsin, do të marshojnë. Do të tregojmë se 8 marsi nuk është festë ku gruaja thjeshtë pranon lule, por është ditë ndër ditët tjera ku gruaja artikulon kërkesat e saja për barazi gjinore e shoqërore.

Në këtë ditë ato do të kundërshtojnë sistemin vrastar patriarkal i cili me dhunën e ushtruar sistematike nuk i ka lënë vend kund gruas në shoqëri. Beteja e kundërshtimit ndaj shtypjes dhe diskriminimit gjinor nuk duhet të përfundoj vetëm në rrjete sociale, por duhet të zhvendoset në rrugë. Sikundër që 8 marsi nuk duhet të jetë dita e vetme që thërret në ndërgjegje.

Të shtyrë nga pozita e pafavorshme në të cilën gjendet gruaja në Kosovë, si e pa pronë, e pa zë, e ngacmuar seksualisht, e paragjykuar, e dhunuar dhe e vrarë, #FEMaktiv fton gratë dhe burrat, të rejat e të rinjtë, që të bashkohen në marshin tonë protestues me 8 mars. Sheshi Shadërvan do të jetë vendgrumbullimi i shpresës të së ardhmes së vendit e shoqërisë sonë.

Marshi protestues fillon nga ora 13:00, në sheshin Shadërvan. Marshi do vazhdojë rrugën deri tek ura e Arastës, ku do të realizojmë edhe një aksion simbolik. Prizreni marshon për 8 mars! FEMaktiv, Grupi joformal i grave dhe vajzave te Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

Të ngjajshme