Në Prizren sot është zbuluar mozaiku i Skënderbeut

28 Nëntor, 2018 - 9:00 pm

Alberina Haxhijaj

Qendrës së Prizrenit sot i është shtuar një mozaik i ri i cili paraqet imazhin e Skënderbeut. Ky mozaik i realizuar nga Besart Gashi ka për qëllim që të kthej vëmendjen qytetarëve -të cilët do të kalojnë nga pjesa ku është vendosur mozaiku- të një figurë e shquar për kombin shqiptarë.

Realizimi i kësaj pikturë, para të cilës dhjetëra qytetarë ndaluan sot dhe realizuan edhe fotografi në nderim të Gjergj Kastriotit Skënderbe, e bënë shumë krenar realizuesin e saj, Besart Gashin.

“Për mua është nder e krenari që kam pas fatin që për herë të parë për qytetin e Prizrenit ta punoj një figurë për heroin tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, është shprehur Gashi për KultPlus.

Mozaiku është punuar me një konstruksion metali dhe me një lloj druri që është rezistues ndaj kushteve atmosferike. Në brendi të mozaikut janë të vendosur edhe dritat për ndriçim të cilat do e bëjnë të identifikueshme këtë vepër edhe gjatë natës. Dimensionet në të cilat është punuar ky mozaik janë 3m × 4m.

“Ideja për realizimin e këtij mozaiku me lindi pasi që më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare të Kastriotëve. Për mua si artist më ka motivuar që po në këtë datë 28 Nëntor 2018 mbas 575 viteve të punoj një vepër arti për këtë hero kombëtar pasi që ky vit edhe është shënuar si viti jubilar i Skënderbeut”, ka treguar Gashi për KultPlus.

Kjo vepër artistike nuk është e vetmja që Gashi e ka realizuar. Ai u bë i njohur edhe për portretin e Adem Jasharit të cilin e realizoi me 200 mijë gëzhoja fishekësh. Këtë mozaik ai e përfundoi më 5 mars për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për realizimin e kësaj vepre, Besart Gashi, është ndihmuar nga mërgimtarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë./KultPlus.com

Të ngjajshme