‘Në rrugët e Skënderbeut’ fillon rrugëtimin historik e kulturor në Shqipëri e Kosovë

1 Maj, 2018 - 9:54 pm

Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kalabri, në bashkëpunim me Shoqatën “Magna Grecia Off-Road” (Rossano – Itali), Bashkinë e Krujës dhe Institutin e Librit dhe të Promocionit (Tiranë), në kuadrin e “Vitit të Skënderbeut”, organizojnë veprimtarinë: “Në rrugët e Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kohëzgjatja e kësaj veprimtarie përfshin ditët nga 1 deri më 8 Maj 2018, ndërsa itineari i këtij aktiviteti është i shtrirë në një Off-Road historik, kulturor dhe turistik në Krujë, viset Veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë, me pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes në Krujë, të Presidentit të Republikës të Shqipërisë Ilir Meta.

“Magna Grecia Off-Road”, në aventurat e saj shqiptare dhe ballkanike ndjek, shpeshherë rrugë të gjata, plot pluhur dhe të panjohura, për pjesën më të madhe të njerëzve, me dëshirën për të kaluar përmes “historisë” dhe nuk i sheh ato vetëm si vendmbërritje me një bukuri të veçantë apo të vështira për t’u arrirë. Këto histori shpeshherë janë të gërshetuara me vetë historitë tona dhe e gjithë kjo merr një kuptim madhështor pikërisht këtë vit: në fakt dy ngjarje mbivendosen në një mënyrë thuajse “magjike”, shkruhet në komunikatën për media.

Data 18 janar 2018 përkon me 550 vjetorin e vdekjes të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu; 17 shkurt 2018 përkon me përvjetorin e dhjetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për më shumë, “Magna Grecia Off-Road” e ka selinë e saj në Rossano, në qytetin që ruan “Codex Purpureus” (kodikët e purpurt), trashëgimi e rrallë e njerëzimit, shpallur dhe mbrojtur nga UNESCO, po ashtu si edhe Berati i mrekullueshëm ruan Kodikët e vet të Purpurt si dëshmi e marrëdhënieve të vazhdueshme e të hershme në kohë.

“Magna Grecia Off-Road” nuk mund të humbiste takimin me historinë. Kjo shoqatë do të jetë e pranishme me mënyrën e saj origjinale: përmes udhëtimit nëpër ato rrugë, ato shtigje ku gati 6 shekuj më parë, prijësi Gjergj Kastriot Skëndërbeu, u kthye për të qenë në krye të shqiptarëve në skenën që mbrojti Krishterimin perëndimor nga zgjerimi i mëtejshëm i Perandorisë Osmane.

Si përherë, një nga objektivat e “Magna Grecia-s Off-Road” është ai i bamirësisë, aktivitet ky që këtë vit u dedikohet fëmijëve të vegjël e të rinjve në vështirësi.

Specifikisht është organizuar një dhurim i drejtpërdrejtë i disa të mirave të nevojshme Fondacionit “Betania”, që në Krujë ka themeluar dhe drejton me mjaft zotësi një shtëpi për fëmijë me vështirësi familjare, që mban emrin “Shoqata Betania”. Ky institucion kujdeset për rreth 90 fëmijë, që nga fëmijëria e hershme deri në adoleshencë. Ai mbijeton vetëm falë zemërgjerësisë së shumë dhuruesve dhe falë punës vullnetare të vetë bashkëpunëtorëve. “Magna Grecia Off-Road” do të ketë nderin e madh të ndihmojë materialisht por edhe shpirtërisht këtë vepër të madhe humanitare që u dedikohet fëmijëve me më pak fat./ KultPlus.com

Të ngjajshme