Në Tiranë do bëhet promovimi i vëllimin të parë të serisë ‘Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë’

16 Maj, 2018 - 2:59 pm

Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore CNRS dhe Universitetin Paris IV, në Francë, do të organizojnë një aktivitet të përbashkët për të promovuar Vëllimin e Parë të serisë “Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë – Corpus of Mosaics of Albania”, shkruan KultPlus.

Ky publikim është botuar në vitin 2018 në Francë dhe i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, Pasuri Botërore.

“Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” është konceptuar si një seri vëllimesh nga autorët: Agron Islami, përgjegjës i sektorit të artit pranë IMK, restaurator dhe Marie-Patricia Raynaud, specialiste e mozaikëve, inxhiniere pranë CNRS, Collège de France, Paris.

Ky Vëllim i Parë vjen si pasqyrim i punës disavjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaikë (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Mozaikët në Shqipëri, shpeshherë jo edhe aq të trajtuar në kontekstin e tyre arkitektonik dhe arkeologjik, vijnë nëpërmjet këtij publikimi si një vlerë e shtuar e botimeve me karakter promovues dhe kërkimor në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Korpusi i Mozaikëve të Shqipërisë” është një botim në format të madh, ku përfshihen planimetri të lexueshme dhe dokumentacion fotografik i shfrytëzueshëm me ngjyra. Publikimi pasqyron një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve të Butrintit, të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.

23 Maj 2018, ora 12:30, Salla UNESCO dhe Salla e Ekspozimeve të përkohshme, në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

Të ngjajshme