Nënat që varrosën fëmijët e tyre, Presidenti Meta në Kampin e Tepelenës

24 Gusht, 2018 - 11:06 am

Kampi i Tepelenës ruan qindra histori të dhimbshme, por ajo e Drande Jakjas, e cila jetoi edhe gati 70 vjet të tjera pas vdekjes së të birit është nga ato ku zemra kur i dëgjon nxjerr klithma lebetitëse.

Historia e Drandes do të ruhet në shekuj, pasi është një histori makabre, dhimbjeje dhe nderi. Ajo u dekorua dje pas vdekjes nga Presidenti Ilir Meta, pasi ruajti 7 javë pranë vetes trupin e pajetë të të birit në kampin e Tepelenës.

Kreu i Shtetit në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare u ndal në Tepelnë, ku u organizua Dita Muze/Memorial. Në prani të të mbijetuarve apo të të afërmve të viktimave të përndjekjes komuniste, Meta nderoi me Titull për Merita të Veçanta Civile, disa nga simbolet e mbijetesës dhe të dhimbjes. Mes tyre janë tri nëna, që jeta u rezervoi fatin e tmerrshëm, të varrosin e zhvarrosnin me duart e tyre fëmijët e mitur, që vdekja ua mori në kampet e shfarosjes.

Në ceremoninë e zhvilluar dje në mbrëmje në Tepelenë, Presidenti i Republikës dekoroi dy gra malësore, dy gra të forta, që nuk u ndalën për 55 vjet, deri sa rigjetën eshtrat e bijave të tyre të vdekura në Turan të Tepeleës.

Ato janë Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola që humbën fëmijët 3-vjeçarë në internim. Fëmijëve iu sigurua një vend prehjeje i identifikueshëm dhe pas gjysmë shekulli, nënat e tyre rifituan të drejtën për ta kujtuar fëmijën njerëzisht. Historia e Drande Jakjas, e dekoruar pas vdekjes, ka rrëqethur këdo që e ka dëgjuar. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

Të ngjajshme