Nënshkruhet marrëveshje për realizimin e projekteve në sektorët e kulturës, rinisë dhe sportit

29 Janar, 2019 - 11:46 am

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hotin, për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional në mënyrë që të përforcohen kapacitetet intelektuale, kulturore e sportive të rinisë sonë.

Secila palë, duke iu përmbajtur detyrave dhe qëllimeve të përcaktuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Republikën e Kosovës, pajtohet që të inkurajojë dhe promovojë bashkëpunimin në këto fusha:

(a)   Shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjellë për projektet rreth rinisë, kulturës dhe sportit;

(b)   Aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim grumbullimin e donacioneve ndërkombëtare për projektet që promovojnë kulturën dhe sportin;

(c)    Angazhimin e përbashkët rreth ecurisë dhe mbajtjes së garave sportive, të diturisë dhe kreativitetit kulturor si në nivelin shkollor, komunal dhe atë qendror;

(d)  Ndërhyrjen në infrastrukturën sportive duke ofruar bashkëpunim në zhvillimin e garave.

Secila palë angazhohet që me qëllim të përmbushjes së objektivave të përcaktuara në marrëveshje, të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen profesionale, logjistike dhe asistencë financiare për zbatimin e projekteve nga fushat e parapara të bashkëpunimit.

Komuna angazhohet që të sigurojë pajisje e mjete të nevojshme sportive për realizimin e garave sportive në sportet përkatëse si futsall, volejboll, basketboll, shah dhe atletikë; Angazhohet të sigurojë transportin e nxënësve që marrin pjesë në garën shkollore, komunale dhe atë në nivel vendi; Angazhohet të sigurojë shfrytëzimin e shtëpive të kulturës me të gjitha pajisjet e tyre për realizimin e aktiviteteve kulturore me nxënësit e cila garë do të realizohet nga zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport; Angazhohet të sigurojë hapësirë pune për nënkoordinatorin rajonal.

Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport do të kujdeset për realizimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore në komunën përkatëse duke bashkëpunuar me sektorët përkatës brenda komunës; Do të kujdeset në mbarëvajtjen e aktiviteteve përkatëse duke siguruar që të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore të realizohen pa e penguar procesin mësimor dhe duke respektuar legjislacionin përkatës; Do të ndihmojë Kryeqytetin në sigurimin e pajisjeve specifike të cilat janë të domosdoshme në realizimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore. /KultPlus.com

Të ngjajshme